Një efektiv policie ka mbetur i plagosur në Gjermani, në një operacion tjetër të forcave speciale kundër një celule të ekstremit të djathtë të quajtur “Qytetarët e Rajhut” në Baden-Württemberg.
Në operacionin e fundit të forcave speciale u bastisën mbi 22 ambiente në të gjithë vendin, në kuadër të hetimeve ndaj të ashtuquajturit “Princi” Heinrich XIII, i cili u arrestua disa kohë më parë nën akuzën se po planifikonte një sulm ndaj Bundestagut dhe rrëzimin e qeverisë.
Gjatë bastisjes në banesën e një të dyshuari në Badi–Württemberg, pati një përplasje me armë mes një personi dhe policisë, ku një efektiv mbeti i plagosur, ndërkohë që autori u vu në pranga, së bashku me 5 persona të tjerë.
Në muajin dhjetor, në një nga hetimet më të mëdha për të djathtën ekstreme në Gjermani, u arrestuan 25 persona, duke përfshirë kreun e dyshuar të organizatës, Heinrich XIII.
Personat e arrestuar bëjnë pjesë në një grup të së djathtës ekstreme, ku mes tyre figurojnë edhe ish-ushtarakë. Ata kishin planifikuar rrethimin dhe pushtimin e Parlamentit federal.
Të dyshuarit, rreth 50 në total, i përkasin lëvizjes Reichsbürger dhe një nga figurat e spikatur është aristokrati gjerman Heinrich XIII, që donte të rikthente qeverinë në politikat konservatore, duke mos njohur parlamentarizmin modern.