Albania
The Independent: Të rinjtë shqiptarë rrezikojnë gjithçka për një të ardhme në Britani
Mediat britanike kanë vënë sërish në shënjestër shqiptarët dhe fenomenin e largimit drejt Mbretërisë së Bashkuar me gomone. Këtë herë ‘The Indipendent’ shkruan se të rinjtë ikin për mundësi më shumë, ndërsa sjell në fokus histori të ndryshme nga Shqipëria.
Ky shkrim vjen në një kohë kur kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama ka vizituar sot “10 Downing Street”, selinë e kryeministrit britanik, por sfondi në të cilin zhvillohet ky takim nuk është i favorshëm për qeverinë shqiptare.

ARTIKULLI I “THE INDEPENDENT”:
Djali i Monika Mulajt ishte në vitin e dytë të kolegjit në Shqipëri, duke studiuar për t’u bërë inxhinier mekanik, kur vendosi të bënte një ndryshim të guximshëm: “Ai u tha prindërve se do të linte shtëpinë e tij të përjetshme për një të ardhme të re në Britani”. “Ne ishim përpjekur t’i plotësonim të gjitha kërkesat e tij, për libra dhe veshje, ushqim dhe pak argëtim. Por ai vazhdonte të ishte i pakënaqur”, tha Mulaj, një mësuese e shkollës së mesme në qytetin verilindor të Bajram Currit, i cili është në një nga rajonet më të varfra të vendit.
Pesë vjet më vonë, djali i saj tashmë 25-vjeçar po punon dy punë në Britani dhe mezi mendon të kthehet në atdheun e tij. “Shqipëria është në regres”, i ankohet nënës së tij. Rruga e tij është ndarë vitet e fundit nga mijëra të rinj shqiptarë që kanë kaluar Kanalin Anglez me varka të vogla ose gomone për të kërkuar punë në Mbretërinë e Bashkuar. Odisea e tyre pasqyron ekonominë anemike të vendit dhe dëshirën e një brezi të ri për mundësi të reja.
Në vitin 2018, vetëm 300 persona arritën në Britani duke kaluar kanalin me varka të vogla. Numri u rrit në 45,000 në vitin 2022, pjesërisht për shkak të ardhjeve nga Shqipëria, një vend në Evropën Jugore që po negocion për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Emigrantë të tjerë ishin nga Afganistani, Irani, Iraku dhe Siria. Ndryshe nga shumë vende që nxisin migracionin, Shqipëria konsiderohet e sigurt nga zyrtarët britanikë.
Britania është tërheqëse për shqiptarët sepse ka një ekonomi më të mirë dhe punë më të paguara se vendet fqinje si Greqia apo Italia. Shumë shqiptarë gjithashtu kanë lidhje familjare në Mbretërinë e Bashkuar. Birminghami, për shembull, ka një popullsi të madhe emigrantësh nga qyteti shqiptar i Kukësit, në kufi me Kosovën.
Nënkryetari i Bashkisë së Bajram Currit, Abedin Kernaja, tha se të rinjtë largohen për shkak të pagave të ulëta dhe vështirësisë për të ndërtuar “një jetë të rehatshme familjare”. Dy djemtë e tij ndodhen në Britaninë e Madhe. Xhemile Tafaj, e cila zotëron një restorant në një pllajë piktoreske jashtë qytetit, tha se “të rinjtë nuk kanë para për të ndjekur shkollën, nuk kanë punë për të punuar, nuk kanë fare të ardhura”.
“Në një mjedis të tillë kanë mbetur vetëm pleq dhe së shpejti do të ketë shtëpi bosh”, tha Tafaj. Shqipëria Verilindore njihet për bukurinë e saj natyrore alpine dhe peizazhin e pjerrët të gjelbër. Rajoni është gjithashtu i famshëm për gështenjat, boronicat, manaferrat dhe bimët mjekësore, si dhe qilimat e leshit dhe mallrat e tjera të punuar me dorë.
Por këto produkte ofrojnë mundësi të pakta pune. Punët e vetme janë në bashki, shkolla dhe spitale, plus disa të tjera në kafene dhe restorante. Petrit Lleshi, i cili ka një hotel në Kukës, prej dy vitesh ka luftuar për të gjetur kamerierë. “Nuk do të fajësoja një 25-vjeçar që largohej për shkak të pagave të ulëta këtu”, tha Lleshi. “Ajo që ofron vendi ynë nuk mjafton për të ndërtuar një jetë të mirë.”
Pak emigrantë kërkojnë vizë. Ata në përgjithësi u paguajnë kontrabandistëve nga 5,000 deri në 20,000 euro për kalimin e rrezikshëm dhe të paligjshëm. Shumë emigrantë e ndërmarrin udhëtimin me pritjen e një pune të sigurt, por pasi mbërrijnë në Britani të Madhe zbulojnë se duhet të punojnë në shtëpitë e kultivimit të kanabisit deri në dy vjet për të paguar paratë e trafikimit, sipas raportimeve të mediave shqiptare.
Rrjedha e vazhdueshme e emigrantëve ka provokuar përplasje mes liderëve britanikë dhe shqiptarë në muajt e fundit. Ministrja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Suella Braverman i ka përshkruar ardhjet si një “pushtim në bregdetin tonë jugor” – fjalë që kryeministri shqiptar Edi Rama i cilësoi si një “narrativë të çmendur” dhe një përpjekje për të mbuluar politikat e dështuara kufitare të Mbretërisë së Bashkuar.
Shqipëria gjithashtu protestoi publikisht atë që e quajti një “linçim verbal” nga një zyrtar tjetër britanik, i cili bëri komente për emigrantët shqiptarë. Rama akuzoi kabinetin e ri të Mbretërisë së Bashkuar se po i bën kurban shqiptarët, sepse “ka kaluar në një rrugë qorre me politikën e saj të re që rezulton nga Brexit”. Kryeministri tha gjithashtu se lehtësimi i kërkesave për viza do të ndihmonte në uljen e numrit të njerëzve që vijnë ilegalisht.
Në përgjigje të rritjes së emigracionit, disa agjenci po investojnë në programe që synojnë të ofrojnë mundësi për të dy vendet – vende pune për shqiptarët e etur dhe furnizim me punëtorë në distancë për bizneset në Mbretërinë e Bashkuar. Elias Mazloum i Grupit të Investimeve për Zhvillimin Social të Shqipërisë tha se emigracioni është “një kancer”.
“Ne po ofrojmë kimioterapi pasi një sasi e madhe e morfinës së përdorur deri më tani ka prodhuar vetëm imigrimin,” tha ai. Sipas projektit të tij, 10 kompani në Irlandë do të punësojnë 10 të rinj shqiptarë për të punuar në distancë në një praktikë duke paguar 500 euro (530 dollarë) në muaj në vitin e parë. Pjesëmarrësit marrin një certifikatë nga Instituti i Marketingut Dixhital të Irlandës dhe më pas punësohen nga distanca për 1000 euro (1060 dollarë) në muaj.

Vizioni është që projekti të ndihmojë në krijimin e një ekosistemi të punës në distancë në rajon. “Shqipëria, dhe veçanërisht rajoni verilindor, ka avantazhin e punës nga një kanavacë bosh për të tërhequr nomadët dixhitalë dhe për të inkurajuar të rinjtë e saj të qëndrojnë”, tha Declan Droney, një trajner biznesi dhe konsulent në Galëay, në perëndim të Irlandës. Një projekt britanik në Kukës mbështet bizneset e vogla dhe të mesme në turizëm dhe bujqësi dhe do të hapë një shkollë me profesione të ndryshme.
Qeveria shqiptare ka ofruar gjithashtu stimuj. Çiftet e reja që hapin një biznes të vogël do të përjashtohen nga taksat deri në tre vjet, dhe çiftet që kthehen nga Britania e Madhe do të marrin 5,000 euro (5,300 dollarë). “Sytë nuk ngopen nga bukuria e këtij vendi – ushqimi, ajri i pastër. Kjo i shtoi njerëzit shumë mikpritës, rininë ambicioze që u pëlqen të punojnë shumë”, tha Mazloum. “Imagjinoni nëse u jepni pak shpresë njerëzve këtu, çfarë mund ta bëjnë këtë vend.”.
Albania
Autoboti i pastrimit të ujërave të zeza, po shpërndan ujë për qytetarët në Vlorë
Qytetarët e Vlorës kanë protestuar sërish sot para dyerve të Bashkisë pasi prej 4-5 ditësh janë pa ujë të pijshëm pas një defekti në linjën kryesore të ujësjellësit.
Njëri prej qytetarëve ka telefonuar kryebashkiaken Brunilda Mersini duke i kërkuar që të vijë personalisht dhe të bisedojë me qytetarët për situatën por Mersini i ka mbyllur telefonin qytetarit pa i dhënë asnjë zgjidhje.
Si pasojë e pakënaqësisë, qytetarët janë zhvendosur në rrugën kryesore, duke bllokuar qarkullimin. Ata kanë pasur disa përplasje me policinë dhe kanë hedhur vezë dhe letra higjenike para ambienteve të Bashkisë.
Ndërkohë, Ujësjellësi i Vlorës ka njoftuar banorët se uji i sjellë me autobotë duhet përdorur vetëm për nevoja emergjente dhe jo për konsum oral. Në njoftim thuhet:
‘Ujësjellës Kanalizimeve Rajoni Vlorë, njofton qytetarët se ujin të cilin po e marrin nga autobotet, duhet t’a përdorin për nevoja emergjente dhe jo për përdorim oral.’
Nga ana tjetër qytetarët shprehen se autoboti që shihni në foto përdoret për zhbllokimin e pusetave të ujërave të zeza, por tani po shpërndan edhe ujë dhe në pikë të hallit kanë marrë bidonat dhe po mbushin ujë.
Albania
Vlora 4 ditë pa ujë, kryetarja e bashkisë: Defekti, fatkeqësi natyrore. Ujësjellësi s’është në varësinë tonë, protestën po e bën opozita
Kryetarja e Bashkisë së Vlorës Bruna Mersini, në një deklaratë për mediat lidhur me situatën e mungesës së ujit prej katër ditësh në Vlorë, u shpreh se problemi vjen prej ujësjellësit dhe se kjo nuk është në përgjegjësi të bashkisë.
Sipas saj, defekti në tubacion që la Vlorën katër ditë pa ujë, është “fatkeqësi natyrore” dhe se nuk duhet përdorur për politikë.
“Kjo është një fatkeqësi natyrore, nuk duhet përdorur për të bërë politikë. Nuk është momenti të bëjmë analiza dhe të gjejmë fajtorin, është momenti të japim zgjidhjen.
Dhe zgjidhja është duke ardhur nga Turqia: në orën 02:30 zbret avioni me tre pjesë rezervë, të cilat në orën 17:00 mbërrijnë në Vlorë.
Ndërkohë, zgjidhja e përkohshme duket se po funksionon pjesërisht. Jemi duke i dhënë ujë qytetit pjesërisht nëpërmjet ujësjellësit dhe, ndërkohë, 15 autobotë dhe emergjencat civile janë në terren duke shpërndarë ujë me koli”, tha ajo.
Albania
U kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
Gjykata në Mechelen të Belgjikës ka shpallur fajtor për trafik droge një shqiptar 23-vjeçar. Dy muaj më parë, pas një ndjekjeje, ai u bllokua nga policia dhe në makinën e tij u gjetën pothuajse 5 kilogramë kokainë. I riu – që sipas tij vepronte për shkak të borxheve nga lojërat e fatit – nuk i mohoi faktet. “Por ju lutem, më lini të kthehem sa më shpejt në vendin tim,” kërkoi ai gjatë seancës gjyqësore.
Policia e kishte vënë re makinën e të riut në fillim të shtatorit 2024 gjatë një kontrolli në Mechelen. Kur oficerët tentuan ta ndalonin, ai u largua me shpejtësi. Ndjekja zgjati shumë pak: disa metra më tutje, makina u bllokua.
“Kjo ndodhi sepse disa automjete kishin ndaluar në rrugë,” u tha në seancë.
Ajo që ra në sy ishte se xhami i pasmë i makinës ishte i hapur. Një qese blu, e vërejtur gjatë kontrollit, ishte zhdukur.
“Por u gjet shumë shpejt,” shpjegoi prokurori Bjorn Vervoort. “Në qesen plastike kishte pak më pak se 4.6 kilogramë kokainë.”
Vlera e drogës në tregun e rrugës ishte mbi 230 mijë euro.
“Një sasi e tillë nuk u jepet tregtarëve të zakonshëm,” theksoi prokurori, duke sugjeruar se shqiptari nuk ishte një shitës i thjeshtë, por kishte mundësisht një rol të rëndësishëm në një rrjet më të madh trafiku.
“Edhe 600 eurot cash – në prerje prej 50 eurosh – si dhe dy telefonat celularë të gjetur në makinën e tij (një makinë me qira) mund të jenë prova shtesë,” shtoi prokurori.
Ai kërkoi një dënim me 2 vite burg dhe një gjobë prej 8.000 eurosh.
“Kam ardhur në Belgjikë për të punuar në ndërtim,” tha 23-vjeçari. “Me këto para doja të shlyeja borxhet e bixhozit, rreth 30.000 euro. Por këtu nuk gjeta punë.”
I riu deklaroi se kishte hyrë rastësisht në botën e drogës.
“Gjatë një daljeje nate në Bruksel,” pranoi ai. “Papritur më folën, më dhanë para dhe gjithë atë kokainë. Në këmbim, duhej ta shisja”.
Avokati i tij, Kilian Rabau, i kërkoi gjykatës të mos japë dënim efektiv me burg, por burg me kusht.
“Le të jetë një sinjal i fortë, por lejojeni të kthehet në vendin e tij,” tha ai.
Pas shqyrtimit, gjykatësja vendosi se faktet ishin të provuara dhe e dënoi të riun me 2 vite burg me kusht dhe një gjobë prej 8.000 eurosh.
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK3 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania4 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Sports3 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania20 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania20 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
-
Albania21 hours ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
