Kosova përkujton 24 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, që i dha fund masakrave dhe brutalitetit të Serbisë.
Presidentja Vjosa Osmani, bashkë me ambasadorët e akredituar në Prishtinë, bënë homazhe te pllaka përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s, duke theksuar se bombardimet e aleatëve mbrojtën miliona jetë nga regjimi gjenocidal dhe brutal i Millosheviçit.
“24 Marsi është dita e kthesës, shpresës dhe lirisë. Do ta përsërisim çdo herë se populli i Kosovës ishte viktimë në 1999, ndërkaq Serbia ishte agresore. Kështu do të jetë gjithnjë në analet e historisë.”
VJOSA OSMANI, PRESIDENTE E KOSOVËS
Kjo ditë përkon dhe me 25-vjetorin e epopesë së Dukagjinit, të betejës frontale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj forcave serbe. Për të nderuar dëshmorët, por edhe ndërhyrjen e NATO-s kundër Serbisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi homazhe në Gllogjan.
Në atë event ishte i pranishëm edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, familja e të cilit bëri një rezistencë të fuqishme nga 24 marsi i ’98-s deri në bombardimet që ndaluan masakrat.
Epopeja e Dukagjinit dhe 24-vjetori i bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë janë përkujtuar edhe nga kryetari I kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, zyrtarë të tjerë, si dhe nga opozita.