Sekretarja e Brendshme britanike Suella Braverman e ka konsideruar të rëndësishëm takimin me ministrin e Brendshëm shqiptar Bledi Çuçi në Londër në lidhje me emigrantët e paligjshëm. Në një postim në Twitter ajo vlerëson kontributin e komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar dhe kujton Komunikatën e Përbashkët në lidhje me krimin e organizuar dhe kthimin e shtetasve shqiptarë, që mbërrijnë me varka të vogla.
“Diskutim i rëndësishëm me Bledi Çuçin në lidhje me kontributin e çmuar të komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, dhe progresin sipas Komunikatës sonë të Përbashkët. Kjo përfshin trajtimin e krimit të organizuar serioz dhe kthimin e shtetasve shqiptarë, sikurse edhe ata që mbërrijnë me varka të vogla”, shkruan sekretarja britanike.
Një ditë më parë kryeministri Edi Rama në takimin që zhvilloi me homologun britanik Rishi Sunak, kërkoi siguri dhe trajtimin me dinjitet të komunitetit shqiptar në Londër.
Kryeministri Rishi Sunak nënshkroi një marrëveshje me Tiranën në dhjetor në një përpjekje për të përshpejtuar deportimin e shqiptarëve.
Kujtojmë se, gati 13,000 shqiptarë arritën në Britani nga Franca vitin e kaluar, duke bërë që rreth një në tre persona që mbërritën në Kanalin e La Manche të jenë shtetas shqiptarë.