Britania e Madhe dhe Polonia kanë vendosur t’u vijnë në ndihmë banorëve që kanë braktisur Ukrainën për shkak të luftës. Dy shtetet do japin fonde për ndërtimin e dy fshatrave të përkohshme në të cilat të zhvendosurve do tu ofrohet strehim, ngrohje dhe ushqim.
Britania ka vendosur të ndajë një fond 12.3 milionë dollarë ku së bashku me Poloninë do të ndërtojnë dy fshatra të përkohshme në perëndim dhe qendër të Ukrainës, për t’iu ofruar strehim banorëve që janë detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre, si pasojë e luftës.
Pothuajse 118.000 ukrainas janë strehuar nga familjet britanike, në kuadër të përgjigjes qeveritare ndaj pushtimit rus – që ka nisur në shkurt të vitit 2022 – mirëpo disa refugjatë janë duke hasur vështirësi në gjetjen e shtëpive të përhershme.
Qeveria britanike ka thënë se fshatrat në Lviv, në perëndim të Ukrainës dhe në Poltava në qendër të Ukrainës, do të mund të strehojnë më shumë se 700 njerëz –
“Në vitin e kaluar presidenti rus, Vladimir Putin, ka vijuar që të shënjestrojë shtëpitë civile dhe infrastrukturën, dhe populli ukrainas po paguan një çmim shumë të rëndë”, ka thënë ministri i Jashtëm britanik, James Cleverly përmes një deklarate.
“Ky partneritet i ri Mbretëri e Bashkuar – Poloni do të ndihmojë që ukrainasit të kenë dritë, ngrohje dhe shtëpitë që u duhen aq shumë”.
Presidenti rus, Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra por si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.