Disa muaj më parë, vetëm një numër i vogël njerëzish kishin parashikuar se rivali në zgjedhjet presidenciale malazeze, Jakov Millatoviç, do ta rrëzonte udhëheqësin më jetëgjatë në Evropë të zgjedhur në mënyrë demokratike. Në fakt, ekonomisti 36-vjeçar, i arsimuar në Perëndim, nuk ishte as zgjedhja e vetë partisë së tij për këtë detyrë.
Por, ish-ministri i Ekonomisë arriti një fitore bindëse ndaj presidentit të deritashëm, Milo Gjukanoviç, në balotazhin e 2 prillit që nxori në pah mosbesimin dhe kundërshtimin publik ndaj 61-vjeçarit.
Rezultatet preliminare në natën e zgjedhjeve tregonin Millatoviçi e ka fituar rundin e dytë me një diferencë 60-40%.
Vetëm dy vjet e gjysmë pasi hoqi dorë nga sistemi ndërkombëtar bankar për t’iu bashkuar një kabineti të udhëhequr nga forcat pro-serbe, Millatoviçi mbetet një mister për shumë malazezë dhe për shumicën e të huajve.
Sipas një biografie zyrtare, ai lindi në dhjetor të vitit 1986 në kryeqytetin malazez, në Podgoricë, që në atë kohë njihej si Titograd. Po atë vit, ylli në ngritje, Gjukanoviç, iu bashkua presidencës së Lidhjes Socialiste të Rinisë Jugosllave, e cila më vonë e çoi në detyra presidenciale dhe kryeministrore në epokën postkomuniste dhe pas pavarësisë së Malit të Zi.
Pasi mbaroi studimet për ekonomi në Universitetin e Podgoricës, Millatoviçi kaloi një vit si studiues në Universitetin Shtetëror të Illinoit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më pas vazhdoi studimet në Vjenë dhe Romë. Ai e fitoi një diplomë master në Ekonomi në Oksford.
Pas studimeve të tij akademike, ai punoi në një bankë rajonale dhe më pas në Deutsche Bank përpara se t’i bashkohej Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) si ekonomist në Londër dhe Podgoricë.
Më pas, zgjedhjet e vitit 2020 i dhanë shumicën në Parlamentin malazez një asambleje pro-serbe, pro Kishës Ortodokse Serbe dhe disa grupimeve të tjera për ta dërguar DPS-në e Gjukanoviçit në opozitë për herë të parë që nga fillimi i sistemit shumëpartiak zgjedhor më 1990.
Rreth një e treta e banorëve të Malit të Zi identifikohen si serbë dhe rreth dy të tretat i takojnë një dege lokale të Kishës Ortodokse Serbe. Tensionet me Beogradin janë zbutur ndjeshëm nga koha kur Mali i Zi e shpalli pavarësinë në vitin 2006, por çështjet e identitetit kombëtar malazez dhe kulturës së përbashkët shkaktojnë ende dilema.
Millatoviqi e la punën e tij jashtë vendit për t’u bërë ministër i Ekonomisë në kabinetin “teknik” të kryeministrit Zdravko Krivokapiq, një nga 12 “apostujt” – siç i kishte quajtur Krivokapiq – në një qeveri të negociuar nën sytë vigjilent të Kishës Ortodokse Serbe në Manastirin e Ostrogut për t’i pohuar kredencialet pro-serbe dhe pro-kishë të këtij koalicioni.
Në qeveri, Millatoviçi i bashkoi shpejt forcat me një analist tjetër, ministrin e Financave, Milojko Spajiq.
Ata e demonstruan aftësinë e tyre për të shfaqur thjeshtësi populiste.
Spajiq dhe Millatoviç ishin arkitektët e një skeme reformash që rriti pjesërisht pagat duke i hequr kontributet në kujdesin shëndetësor gjatë kohës së pandemisë. I quajtur “Evropa Tani”, ky plan pati rezultate të menjëhershme, duke kontribuar në më shumë se dyfishimin e pagës minimale mujore, nga 222 në 450 euro, dhe duke rritur pagën mesatare, nga 530 në 670 euro.
Kritikët thonë se këto veprime e dëmtuan gjendjen financiare të sistemit të kujdesit shëndetësor dhe e lanë vendin të cenueshëm ndaj një “skenari grek” të falimentimit. Millatoviçi e ka fajësuar mungesën e vullnetit politik për dështimet e reformave, që ai thotë se ka penguar edhe kandidaturën e Malit të Zi në BE.
Në një kritikë të mprehtë të udheheqësisë së Gjukanoviçit, Millatoviçi u mburr para zgjedhjeve se “kjo ishte hera e parë kur ishte rritur dukshëm standardi i jetesës [në Mal të Zi] në 30 vjetët e fundit”.
Ai sugjeroi gjithashtu se Mali i Zi mund “të arrijë një pagë mesatare [mujore] prej 1.000 eurosh në një periudhë të shkurtër kohore”.
Qeveria e Krivokapiqit u rrëzua përmes një vote mosbesimi në shkurt të vitit 2022, të nxitur nga mohimi i gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë nga një ministër i ri, i cili megjithatë mbeti në detyrë deri në prill.
Deri në qershor të vitit 2022, me Spajiqin si president dhe Millatoviçin si zëvendësin e tij, dyshja e krijoi një parti të re politike, të deklaruar si centriste, pro Bashkimit Evropian dhe kundër korrupsionit – të quajtur Lëvizja Evropa Tani.
Në tetor të vitit 2022, me Millatoviçin që kryesoi listën e partisë në Podgoricë, ku jetojnë gati një e treta e malazezëve, Evropa Tani fitoi 21 për qind të votave mbi premtimet për modernizimin e fuqisë punëtore dhe ofrimin e prosperitetit ekonomik.
Spajiq, me nacionalitet serb, njoftoi se planifikonte ta sfidonte Gjukanoviçin në zgjedhjet presidenciale të këtij muaji, por kandidatura e tij dështoi shkaku i faktit që ai kishte jetuar për një kohë të gjatë në Serbi dhe shkaku i dyshimeve për shtetësi të dyfishtë.
Pastaj, Millatoviç ndërhyri shpejt për ta mbushur boshllëkun.
“Për momentin, nuk është edhe aq e rëndësishme se a jam unë apo Spajiq”, kishte thënë Millatoviç në janar para se të tërhiqej nga kandidatura Spajiq, duke e përshkruar veten si “një njeri që nuk i ka ikur kurrë përgjegjësisë”. Si kandidat, ai përdori përvojën e tij ekonomike dhe mbështetjen për kandidaturën të Malit të Zi në BE, e cila ka hasur në pengesa shkaku i dështimeve të reformave dhe mungesës së vullnetit për zgjerim mes anëtarëve të bllokut evropian.
Ai, gjithashtu, përdori argumente për marrëdhënie më të ngushta me Serbinë.
Në mesin e shtatë kandidatëve gjatë rundit të parë më 19 mars, Gjukanoviç fitoi gati 36 për qind të votave, ndërsa Millatoviç 29 për qind. Pas rundit të parë, Gjukanoviç u përpoq të mobilizonte votues në mesin e pakicave kombëtare jo-serbe, si shqiptarët dhe boshnjakët, të cilët e kanë mbështetur atë në të kaluarën.
Nëse qëndrojnë rezultatet paraprake, votat e Gjukanoviçit prej rreth 40 për qind paraqesin një rënie gati një të tretën në krahasim me mbështetjen që ai kishte marrë në zgjedhjet e vitit 2018, kur ai fitoi me rreth 54 për qind të votave.
Brenda pak orëve pas mbylljes së vendvotimeve pas rundit të parë më 19 mars, disa nga partitë e tjera të lidhura me qeveritë pas rrëzimit të DPS-së u kërkuan votuesve të tyre ta mbështesin Millatoviçin në rundin e dytë.
Pasi Gjukanoviçi pranoi humbjen, Millatoviçi tha kjo ishte një “natë që e kemi pritur për më shumë se 30 vjet”. Ai shtoi se ishte “një fitore e [një] Malit të Zi të bashkuar”, por disa analistë kanë shprehur dyshime nëse 620.000 malazezët mund të qëndrojnë së bashku para qëndrimeve pro-BE, por edhe pro-serbe, të Millatoviçit.
Marre me shkurtime nga Evropa e Lirë.org