I shoqëruar nga Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë, Sali Berisha ishte i pranishëm këtë të diel në qytetin e Elbasanit, aty ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkia për zgjedhjet e 14 majit, Luçiano Boçin.
Berisha u shpreh se më 14 maj do të përballet monizmi me idealet e lirisë. “Me 14 maj në Elbasan dhe mbarë Shqipërinë, përballet monizmi me idealet e lirisë, përballet monizmi me idealet e pluralizmit, përballet monizmi me dëshpërimin dhe zhgënjimin që mbjell, me shpresën dhe besimin tek Elbasani dhe Shqipëria.
Zgjedhjet e 14 majit janë zgjedhjet e jetës tonë, e idealeve tona, janë zgjedhjet për fatin e Elbasanit, për fatin e Shqipërisë. Kam besim të plotë se Elbasani do të jetë në krye të fitores, në krye të përpjekjes shqiptare për mposhtjen e monizmit, për triumfin e pluralizmit.
Elbasanase dhe elbasanas, kurrë mos harroni se në momentet kritike të kombit, ju keni ndarë më mirë, më drejtë se gjithë të tjerët.
Mendja jua, virtytet tuaja, arsimimi, atdhedashuria bënë që Elbasani të jetë qyteti i dritës për mbarë kombin shqiptar.
Elbasani në shekuj, në dekada, rrezatoi në të 4 anët e Shqipërisë, dije, dije, atdhedashurinë, po kaq sa dijen. Është ky qyteti në të cilin u përgatitën mijëra e mijëra të dijes, që ndriçuan mendjen e shqiptarëve me dije, ndriçuan mendjen e shqiptarëve me shqiptarizëm, me atdhedashuri, me dashuri për Elbasanin dhe Shqipërinë.
Është ky qyteti që rrezatoi në të 4 anët e dheut, dije dhe demokraci. Demokracia dhe arsimi, demokracia dhe dija, janë një dhe të pandarë. Është ky qyteti që do të konservonte në shekuj dhe mijëvjeçar, të folmen më të bukur shqiptare, të cilën komisija e gjuhës, do ta zgjidhte si gjuha zyrtare të shqiptarëve.
Është ky qyteti që hodhi themelet, e islamit shqiptar si doktrinë e shqiptarësisë. Elbasani dhe kombi, shpirti i tij, janë një dhe të pandarë. Shqipëria pret nga Elbasani me 14 maj të votohen idealet e lirisë, të votohet pluralizmi, të votohet Luçiano Boçi”, tha Berisha.