Sot shënohet 24-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës në 1998-1999, ata janë detyruar nga forcat serbe të shpërngulen në shqipëri dhe Maqedoninë e madhe.
Asokohë, mijëra shqiptarë kaluan kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra të tjerë u zhvendosën nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës. Ata kanë qenë fëmijë, gra dhe të moshuar, të cilët kanë qenë të dhunuar dhe të torturuar nga forcat serbe.
Rreth gjysmë milioni shqiptarë të Kosovës, të dëbuar me dhunë nga forcat serbe, u vendosën në Maqedoninë e Veriut. Para hyrjes në Maqedoni, rreth 70 mijë refugjatë, me ditë të tëra mbetën të bllokuar në fushëgropën e Bllacës, pasi presidenti i atëhershëm maqedonas, Kiro Gligorov, kishte për qëllim t’i dëbonte në vende të treta.
Kosovarëve të dëbuar që u detyruan të qëndrojnë në Bllacë, në qiell të hapur, në 10 ditët e para të prillit 1999, u dolën në ndihmë qindra aktivistë vullnetarë të organizatave të ndryshme.
Eksodi, apo dëbimi shqiptarëve me dhunë nga vendet e tyre, ka arritur kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë.
Në pikën ku ndodhi katastrofa humanitare, në Hanin e Elezit, është ngritur një Qendër Përkujtimore, në të cilën qëndron edhe treni që kishte bartur shqiptarët e dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre.
Eksodi i shqiptarëve shënohet edhe në Kukës, çdo 16 prill.Refugjatët kosovarë hynin në Kukës nga pikëkalimi i Vërmicës/Morinit ku edhe ishin dhunuar, torturuar, masakruar dhe zhveshur nga policët serbë, duke u marrë paratë, bizhuteritë dhe çdo send me vlerë që ato kishin.