Individët në Shqipëri kanë mbi 10 miliardë euro kursime bankare, por pjesa më e madhe e tyre kanë pak ose aspak para në llogaritë e tyre, ndërsa një minorancë prej 4.4%, kanë mesatarisht mbi 50 mijë euro në llogarinë e vet, sugjeron raporti vjetor i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, raport që u publikua në faqen e internetit të Kuvendit të Shqipërisë.
Agjencia menaxhon fondin kombëtar të sigurimit të depozitave, paratë e grumbulluara në formë takse nga bankat e nivelit të dytë dhe që do të përdoren për të paguar depozituesit në rast se ndonjë prej bankave falimenton në të ardhmen. Agjencia i grumbullon këto statistika në bazë të këtij funksioni dhe jo për të matur pabarazinë, ndaj konkluzionet që mund të nxirren nga këto statistika janë të interpretueshme.
Agjencia thotë se në Shqipëri ka rreth 2.6 milionë depozita të hapura në bankat e nivelit të dytë, por këtu përfshihen edhe llogaritë që mbahen nga individë të ndryshëm në banka apo monedha të ndryshme, pra një individ mund të ketë më shumë se sa 1 llogari.
Agjencia vëren gjithashtu se mbi 900 mijë prej këtyre depozitave janë bosh, pra kanë më pak se 100 lekë në gjendje, ndërsa pjesa tjetër prej afro 1.7 milionë llogarish, ndahet në llogaritë me “më pak se 2.5 milionë lekë” dhe llogaritë me “mbi 2.5 milionë lekë”. Arsyeja e kësaj ndarjeje është se ligji për sigurimin e depozitave që u miratua në vitin 2002, garanton sigurim në masën 100% për depozitat deri në 2.5 milionë lekë në rast falimenti të bankës dhe sigurim në masë më të ulët për depozitat mbi 2.5 milionë lekë.
Agjencia shënon se 1.58 milionë depozita mbajnë më pak se 2.5 milionë lekë dhe në to gjenden 507 miliardë lekë kursime. Kjo sugjeron se një qytetar shqiptar ka mesatarisht në depozitën e tij bankare rreth 320 mijë lekë. Nëse nga 2.6 milionë depozitat, heqim ato që janë bosh, atëherë të 1.7 milionë depozitat aktive kanë mesatarisht 683 mijë lekë secila.
Por nga këto, 115 mijë depozita konsiderohen të pasura dhe kanë së bashku 680 miliardë lekë gjendje ose mesatarisht 5.8 milionë lekë secila [mbi 50 mijë euro].
Pabarazia në normën e kursimit ka gjasa përbën vetëm majën e ajsbergut të pabarazisë së përgjithshme të popullsisë. Shtresat e pasura të popullsisë, përveç llogarive bankare, mbajnë investime në prona të patundshme, biznese apo tituj borxhi.
Është e pamundur të dihet se sa individë janë pas 115 mijë llogarive të të pasurve, por nëse supozojmë se një llogari përfaqëson një individ, atëherë rreth 4.4% e individëve në Shqipëri kontrollojnë rreth 58% të kursimeve. Nëse interpretojmë që çdo llogari e tillë përfaqëson një familje, atëherë mund të themi se afërsisht 16% e 740 mijë familjeve në Shqipëri kanë 58% të kursimeve. /BIRN