Avokati i 28-vjeçares që u mbajt peng dhe u dhunua nga bashkëjetuesi i saj në Tiranë ka folur për mediat këtë të hënë ku ka treguar detaje të tjera në lidhje me këtë ngjarje. Enea Cenko u shpreh se 28-vjeçarja është lindur dhe rritur në Gjermani, aty ku ka edhe familjen, por ishte kthyer në Shqipëri për shkak të dashurisë për të. Ajo punon atje si infermiere. E reja është njohur me 31-vjeçarin Gleard Gushollin në Gjermani, kur ky i fundit ka qenë në spital dhe është dashur të përkthejë. Sipas avokatit, më pas ata janë dashuruar dhe kanë nisur të bashkëjetojnë prej rreth një jave.
“Për shkakun e kësaj situate në bazë të informacioneve që unë kam nga e mbrojtura nga unë ka theksuar motive xhelozie dhe jo vetëm, por gjatë gjithë kohës e kërcënonte me fjalët që më ke bërë një kallëzim në Gjermani pasi duhet theksuar dhe ky fakt. E mbrojtura prej meje është shtetase gjermane, me pasaportë gjermane, intelektuale, me arsim të lartë, infermiere në shtetin gjerman. Janë njohur në spitalin ku punonte në shtetin gjerman. Si fillim ka nisur një procedurë, siç thekson e mbrojtura nga unë për të marrë mjekim dhe është dashuruar për të përkthyer. Spitali ka kërkuar ndihmën e të mbrojturës nga unë për të përkthyer. Më pas janë dashuruar. Jo vetëm janë dashuruar, por kanë rreth një javë që bashkëjetojnë. Ishte pak a shumë një rezume”, tha avokati.
Sipas avokatit, 28-vjeçarja është shprehur se Gusholli jo vetëm e mbajti peng, por edhe ka tentuar që ta vrasë. Për këtë arsye ai kërkoi kualifikimin e veprave penale për jo vetëm të pengmarrjes, por edhe tentativës së vrasjes.
“Siç më ka shpjeguar e mbrojtura prej unë më thekson që përgjatë një jave është mbajtur peng nga ky shtetas i cili është arrestuar nga uniformat blu të Tiranës. Duhet theksuar fakti që jo vetëm është mbajtur peng, siç më ka theksuar e mbrojtura, por është tentuar edhe të vritet nga ky shtetas. Unë kërkoj në mënyrë urgjente kualifikimin e veprave penale për pengmarrje dhe jo vetëm, tentativës së vrasjes. Aktualisht ka plagosjen e rëndë, pengimin e zbulimit të së vërtetës që janë autorët e tjerë dhe jo vetëm, por ka edhe veprën prodhim shitje të lëndëve narkotike dhe të tjera materiale që i janë referuar prokurorisë”, u shpreh avokati.
Avokati ka kërkuar që institucionet të marrin menjëherë në mbrojtje vajzën pasi ndihet e kërcënuar.
“Ajo ndihet e kërcënuar, institucionet shtetërore ta marrin menjëherë në mbrojtje”, tha avokati.
Ndërkohë Klan News ka siguruar foton e Gleard Gushollit, 31-vjeçarit i cili akuzohet se mori peng e dhunoi barbarisht për 1 javë bashkëjetuesen e tij 28-vjeçare.
Për rastin në fjalë përveç Gushollit janë vënë në pranga edhe 4 persona të tjerë. Bledi Kateshi dhe Erlind Kateshi, akuzohen se ndihmuan autorin të largohej nga vendi i ngjarjes. Ndërsa Arjan Sheta dhe Besmir Nurçellari akuzohen për moskallëzim krimi dhe fshehje të provave.
28-vjeçarja dhunohej dhe goditej me sende të forta, mes të cilave me këmbën e një karrigeje, që u sekuestrua në policia.
Ka qenë motra e autorit së bashku me një vajzë tjetër që e çuan fillimisht në ambientet e një klinike private në afërsi të komisariatit numër 2, 28-vjeçaren. Më pas kanë qenë mjekët e klinikës që kanë njoftuar policinë.