Një kompani holandeze ka zbuluar projektin për një superjaht luksoz që shndërrohet edhe në nëndetëse, për të kaluar çaste të paharrueshme mbi dhe nën ujë.
Edhe pse në pamje të parë jahti-nëndetëse duket si mjeti i udhëtimit i një prej personazheve negativë të filmave të James Bond, njerëzit aty brenda do t’ia kalojnë vërtet shumë mirë.
Mjeti parashikohet të kushtojë mbi 22 milionë paund dhe është projektuar të jetë 37,5 metra i gjatë. Brenda tij mund të qëndrojnë 17 persona, përfshi ekuipazhin.
Jahti i quajtur Nautilius është projektuar në bashkërisht nga kompania holandeze U-Boat Worx dhe studioja turko-gjermane e projektimit, Officina Armare.
Pasi shndërrohet në nëndetëse, mjeti arrin të zhytet deri në 150 metra thellësi dhe mund të qëndrojë nën ujë për maksimumi katër ditë.
Përveç dritareve me hapësirë të bollshme për të parë bukuritë e thellësive, jahti është dizajnuar me stilin minimalisht nordik dhe japonez, që fuqizon edhe më tepër pamjen e jashtëzakonshme që udhëtarët do të mund të shohin nën ujë.
Modeli është frymëzuar nga romani i Jules Verne “20 mijë lega nën det”, i shkruar në vitin 1870. Vetëm salla e ngrënies ka një sipërfaqe prej 50 metrash katrorë, ndërsa dhomat e gjumit janë të ndara në një kabinë kryesore, një suitë, si dhe katër kabina të tjerë për të ftuarit dhe një dhomë gjumi për ekuipazhin.
Në kuvertë është instaluar një pishinë me ujë të ëmbël, një bar dhe një tavolinë ngrënieje, e cila mbyllet kur jahti zhytet nën sipërfaqen e oqeanit.
Themeluesi i kompanisë prodhuese, Bert Houtman, tha: “Tashmë njerëzit që duan të kenë një jaht luksoz, duhet të marrin në konsideratë edhe mundësinë për t’u zhytur në 150 metra thellësi. Kur moti përkeqësohet, është më e thjeshtë të zhytesh dhe të vazhdosh udhëtimin. Me Nautilus, tregu i jahteve nuk do të jetë më i njëjti”.