Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi nga Bashkimi Evropian dhe aleatët e tjerë që t’i bëjnë presion Serbisë, në mënyrë që të respektojë angazhimet e marra përsipër si pjesë e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve.
Gjatë një vizite zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Osmani akuzoi Beogradin për shkelje flagrante të dy neneve të marrëveshjes. Sipas Presidentes, Kosova do të ketë qasje konstruktive dhe të hapur në raundin e ri të dialogut që do të mbahet në 2 maj.
“Se cilat do të jenë veprimet e Serbisë, pak a shumë mund t’i nuhasim nga deklaratat e fundit, e mbi të gjitha nga veprimet të cilat kanë qenë shkelje e marrëveshjes të arritur në Bruksel dhe aneksit në Ohër. Siç e dini, neni 4 i kësaj marrëveshjeje parasheh që Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Sjellja e tyre të hënën në Këshillin e Evropës, por edhe lobimi i tyre kundër votimit pro Kosovës e ka dëshmuar këtë shkelje flagrante. Natyrisht, edhe ndërhyrja e tyre e paligjshme në zgjedhjet në Kosovë, është edhe shkelje e nenit 2 të kësaj marrëveshjeje”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani
Më 24 prill, në takimin e Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës, Serbia votoi kundër kërkesës së Kosovës në këtë organizatë evropiane. Autoritetet serbe madje kanë paralajmëruar se do të përdorin masën e reciprocitetit ndaj shteteve që nuk respektojnë integritetin territorial të Serbisë.
Sakaq, Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se shteti i tij ka qëndrim të njëjtë si ndaj Kosovës, ashtu edhe ndaj Serbisë, pasi njeh pavarësinë e të dyjave dhe ka raporte diplomatike. Ai tha se këto dy shtete mund të mësojnë nga Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001, që i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoninë e Veriut.
“Nëse dikush dëshiron të marrë përvoja nga ajo që ne arritëm me Marrëveshjen e Ohrit në vitin 2001 nuk do të gabojë, edhe pse specifikat e çdo shteti diktojnë edhe zgjidhje specifike për ato shtete. Nuk them se situatat janë identike apo që zgjidhjet tona të mund të reflektohen edhe në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, por mund të merret ajo çfarë mendojnë se është e mirë. Por, vendimi final se çfarë do të pranojnë në atë dialog kuptohet se i takon organeve legjitime në Prishtinë dhe Beograd. Ne jemi fqinj të mirë që duam të shohim fundin e këtij kontesti të gjatë, që realisht ngadalëson bashkëpunimin rajonal që është shumë i rëndësishëm për përgatitjen e integrimit të rajonit në strukturat euroatlantike”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani