Një britanik është habitur kur ka zbuluar se banesa e tij, të cilën e kishte lënë me qira te dy shqiptarë, ishte kthyer në një fermë kanabisi me vlerë 100 mijë paund.
Pronari britanik shkoi në nëntor të muajit të kaluar për të ndërruar çelësin në Hull të Anglisë, por zbuloi sasi të mëdha kanabisi. Ai vuri në dije autoritetet për zbulimin që kishte bërë.
Pasi policia vendosi të kryejë një aksion në banesë, përveç 73 bimëve kanabis, brenda ndodheshin edhe dy shqiptarë Desar Xhakolli, 28-vjeç, dhe Astrit Baja, 26-vjeç, raportojnë mediat britanike.
Teksa dolën në gjykatë, avokatja mbrojtëse tha se dy të rinjtë shqiptarë e kishin pranuar krimin, dhe se kishin ardhur në Britani për një jetë më të mirë, por për shkak të rrethanave dhe vështirësive ekonomike e gjetën veten duke punuar si fermerë kanabisi.
Ajo tha se shqiptarët kishin mësuar anglisht gjatë qëndrimit në paraburgim dhe dëshironin të linin gjithçka pas duke filluar një jetë të re si berberë.
Por gjykatësja u shpreh se ishte e qartë se shqiptarët ishin të ndërgjegjshëm për punën fitimprurrëse, ndaj vendosi t’i dënojë me nga një vit burg secilin.