Përveç kryeministrit Ramush Haradinaj, e kryekuvendarit Kadri Veseli, lidhur me deklarimet e BE-së se edhe çështja Trepçës do të jetë pikë diskutimi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, ka reaguar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Ai thotë se një kërkesë e tillë është e papranueshme dhe absurde, sikurse që është e tillë edhe ideja për të dialoguar në Bruksel për kufijtë e Kosovës.
Reagimi i plotë:
Të nderuar qytetarë
Më habiti kërkesa e BE-së që çështja e Trepçës të trajtohet në dialogun me Serbinë. Kosova në asnjë fazë nuk ka pranuar që për Trepçën dhe pasuritë e saj natyrore, të cilat janë në territorin e saj, të dialogojë me Serbinë. Është kjo një kërkesë absurde dhe e papranueshme, ashtu siç është e papranueshme që me Serbinë të dialogohet për kufijtë dhe për territorin e Kosovës.
Në mandatin, kur unë isha Kryeministër i vendit, përgatitëm dhe aprovuam Ligjin për Trepçën, duke e shpëtuar këtë simbol ekonomik të vendit nga falimentimi dhe privatizimi. Deputetët e LDK-së votuan para disa ditësh Statutin e Trepçës, i cili mori 2/3 e votave në Kuvend. Kjo flet për unitetin tonë karshi interesave jetike të vendit.
Duhet të jemi bashkë dhe fuqishëm të kundërshtojmë që në emër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë të dialogojmë çështjet e sovranitetit dhe integritetit tonë shtetëror. Çështjet e shtetësisë sonë! Sepse, kështu si kanë filluar, një ditë do të kërkojnë që edhe frymë mos të marrim pa e dialoguar me Serbinë! IM