Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Shkodrës, Benet Beci është shprehur se kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe njëherësh kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia nuk ka bërë asgjë për këtë bashki.
Sipas tij kundërshtarit i mungon eksperienca e duhur dhe nuk ka mekanizma dhe strategji për të bërë diçka për kryeqendrën e veriut.
“Kjo është e domosdoshme për arsye se kjo nuk është një lojë politike. Kjo varet dhe nga strategjia që ka. Në rastin e Shkodrës do të duhet të kemi prova për të punuar dhe provat vijnë ose me CV-në, ose me ato që ke realizuar dhe ato që ke në plan të bësh. Shumë e rëndësishme është Shkodra dhe kush i prodhon Shkodrës diçka që bëhet. Unë do të kisha hapur rrugën kujtdo për një gjë që po, ta bëjë dikush më mirë. Nëse do të kishim pasur një propozim që e bën Shkodrën, jam dakord, por ne nuk kemi një propozim që e bën Shkodrën.”, tha Beci për mediat.