Zbardhet pasuria e kryebashkiakut të Elbasanit, Gledjan Llatja dhe kryetares të Durrësit Emiriana Sako.
Llatja me mbi 100 mijë euro pasuri, nuk deklaron asnjë shtëpi dhe qira për të banuar.
Ndërsa kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako me mbi 100 mijë euro nëpër llogari bankare që nuk deklarohet burimi. Bashkëshorti i Sakos me makina luksoze dhe bonus nga Covid 19.
ZBARDHET PASURIA E LLATJAS DHE SAKOS
Nga viti i kaluar funksionarët e lartë të shtetit janë të detyruar që në formularin e deklarimit të pasurisë të deklarojnë çdo qindarkë dhe çdo pasuri të mundshme që rezulton në emër të tyre apo edhe të familjarëve në trungun e familjes. Në vitin që lamë pas deklarimet u bënë në versionin online dhe në fund të tetorit të gjithë subjektet duhet të kishin dorëzuar formularin pranë ILDKPI. Panorama TV ka siguruar deklarimet e fundit që kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja dhe ajo e Durrësit Emiriana Sako. Sipas vetedeklarimit, kryebashkiaku i Elbasanit i cili e ka marrë këtë detyrë në vitin 2019, rezulton pa shtëpi. Në deklaratën e pasurisë së tij Llatja dhe bashkëshortja e tij nuk deklarojnë se zotërojnë një banesë. Ajo që bie në sy është se në formular nuk raportohet as ndonjë dietë për pagesë qiraje për të banuar. Por çifti Llatja nuk figurojnë të varfër. Vetëm kryebashkiaku i Elbasanit zotëron 6 llogari bankare me një shumë që shkon mbi 100 mijë euro. Ndërkohë të ardhurat nga rroga si i pari i qytetit të Elbasanit shkojnë afro 16 mijë dollarë.
Ndërsa për pjesën tjetër të mbetur të shumës nuk deklarohet burimi se si janë vendosur këto pasuri, por sqarohen vetëm shtesat nga interesat bankare.
Kujtojmë që në nenin 257 fraksion a në Kodin Penal parashikohet deri në tre vite burg për personat e zgjedhur të cilët refuzojnë deklarimin e pasurisë dhe interesave private
Ndërsa në nenin 190 po të Kodit Penal parashikohet deri në 5 vjet burg për falsifikimin e formularëve.
Ndërkohë Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako ndonëse deklaron të ardhura nga puna e bashkëshortit të saj në një kompani private 13 milionë lek të vjetra, llogaritë bankare të tyre janë shumë herë më të mëdha. Në emër të bashkëshortit të zonjës së parë të Durrësit rezultojnë se janë hapur disa llogari në vitin 2020, por nuk thuhet se nga vijnë burimet e të ardhurave.
Po kështu bashkëshorti i Emirjana Sakos rezulton se ka marrë edhe bonus për shkak të pandemisë. Po kështu bashkëshorti i kryebashkiakes së Durrësit deklaron se i kanë vjedhur një makinë tip Audi, ndërsa ka shitur dhe blerë makina të tjera luksoze me vlerë mbi 20 mijë euro e 40 mijë./PANORAMA