Mbreti Charles III-të i Mbretërisë së Bashkuar dhe i vendeve të tjera të Commonwealth-it, priti shtatë dekada për të marrë fronin – dhe njëherësh është trashëgimtari më jetëgjatë në historinë britanike.
Kurorëzimi i tij do të bëhet më 6 maj në Westminster Abbey – 70 vjet prej kur nëna e tij, Mbretëresha Elizabeth II-të, u kurorëzua në të njëjtën kishë mbretërore.
“E gjithë jeta e ka përgatitur për këtë rol”, tha eksperti për çështjet e Mbretërisë, Christopher Warwick për skynews menjëherë pasi Charles e mori titullin e Mbretit britanik.
“Ato që ai duhet t’i shmangë, të cilën gjë e kishte bërë për mrekulli Mbretëresha, janë polemikat. Nuk duhet të sillet si të ishte kreu i shtetit – kjo rrugë do ta dërgonte drejt katastrofës”, shtoi ai
Një ambientalist i pasionuar, Mbreti Charles III-të ka bërë një premtim – nuk do të përzihet në çështjet të cilat si takojnë si mbret, pasi ka qenë i hapur për një sërë temash në të kaluarën – nga ndryshimet klimatike dhe mjekësia alternative e deri tek mediat.
Këtu, Sky News tregon historinë e monarkut të Britanisë dhe përmbledhë ngjarjet që do të formësojnë mbretërimin e tij.
Fëmijëria dhe thyerja e traditës mbretërore
Mbreti Charles III-të lindi në Buckingham Palace më 14 nëntor të vitit 1948, me peshë 3.3 kilogramë, gjatë mbretërimit të gjyshit George VI.
Një deklaratë u vendos në parmakët e pallatit pak para mesnatës, duke njoftuar se Princesha Elizabeth kishte lindur një djalë të quajtur Charles Philip Arthur George.
Babai i tij, Duka i Edinburgut, nuk ishte i pranishëm gjatë lindjes, thuhet se në vend të kësaj vendosi të luante squash (lojë tenisi) me një mik.
Në moshën trevjeçare, Charles u bë trashëgimtar i dukshëm pas vdekjes së George VI, transmeton Telegrafi.
Ai mori pjesë në kurorëzimin e nënës së tij në Westminster Abbey, i ulur mes gjyshes së ve, Nënës Mbretëreshë, dhe tezes së tij, Princeshës Margareth.
Ndryshe nga trashëgimtarët e mëparshëm të fronit që mësoheshin nga mësues privat, Mbretëresha Elizabeth II dhe Princi Philip vendosën që djali i tyre i madh të shkonte në shkollë – por për të riun e prisnin kohë të vështira.
‘Një ferr absolut’
Thuhet se Charles e përshkroi si të rëndë përvojën e tij në shkollën me konvikt, në “Gordonstoun” në Moray, Skoci, pasi u bulizua pa mëshirë.
Asokohe princi i ri besohet se i kishte shkruar mbretëreshës, duke i thënë se “mezi po bënte gjumë, pasi po gerhiste dhe po goditej në kokë gjatë gjithë kohës. Është ferr absolut”, i kishte thënë ai.
Charles tregoi aftësitë në dramë ndërsa luajti rolin kryesor në një produksion të Makbethit të Shekspirit.
Ai kaloi gjashtë nivele O përpara se të merrte nivelet A, duke marrë një notë B në histori dhe një notë C në frëngjisht.
Charles theu traditën mbretërore kur shkoi menjëherë në universitet pas nivelit A në vend që të bashkohej me forcat e armatosura.
Ai studioi arkeologji dhe antropologji në vitin e parë në Kembrixh, përpara se të kalonte në histori për pjesën e mbetur të diplomës.
Duke luajtur disa instrumente në shkollë, duke përfshirë pianon dhe borinë, Charles performoi violonçelin në një koncert simfonik ndërsa ishte në universitet.
Në vitin 1969, Charles mori zyrtarisht titullin e lidhur më ngushtë me të, të Princi të Uellsit, pasi kishte kaluar një mandat në universitet në Aberystwyth ku mësoi të fliste në theksin uells.
Ai u bë trashëgimtari i parë i fronit që fitoi një diplomë universitare kur ju dha në vitin 1970.
Karriera ushtarake dhe ndjekja e gjurmëve të Princit Philip
Pas stërvitjes me RAF, Charles ndoqi hapat e babait të tij duke nisur një karrierë prej marinsi.
Princi ndoqi një kurs prej gjashtë javësh në Dartmouth para se të shërbejë në anijen ushtarake HMS Norfolk.
Ai u kualifikua si pilot helikopteri dhe ishte anëtari i parë i familjes mbretërore që përfundoi kursin e trajnimit të Regjimentit të Parashutës.
Në nëntë muajt e fundit në marinë, Princi mori komandën e minuesit bregdetar “HMS Bronington”.
Romanca me Dianën dhe dasma mbretërore
Në rininë e tij, Charles ishte i lidhur me një numër grash dhe dikur u quajt “beqari më i përshtatshëm në botë”.
Princi ishte 21 vjeç kur takoi për herë të parë Camilla Parker Bowles (atëherë e njohur si Camilla Shand) në një ndeshje polo në Windsor.
Megjithatë, vendimi për të shkuar në Marinën Mbretërore prishi marrëdhëniet e tyre në zhvillim dhe ajo u martua me Majorin Andrew Parker Bowles, një mik i Charles, në vitin 1973.
Charles u takua për herë të parë me vajzën e turpshme, Lady Diana Spencer, 16-vjeçare në vitin 1977. Në atëkohë, Princi 29-vjeçar thuhet se po takohej me motrën e saj më të madhe, Sarah.
“Më kujtohet se sa ishte e lumtur, argëtuese dhe tërheqëse si një 16-vjeçare “, tha më vonë Charles për Dianën.
Brenda tre vjetëve romanca e tyre mori hov shpejt, ndërsa Charles bëri një gafë në muajin shkurt të vitit 1981.
E pyetur nëse ata ishin “të dashuruar” gjatë një interviste televizive pas lajmeve për fejesën e tyre, Diana u përgjigj, “Sigurisht”, përpara se Charles të përgjigjej me fjalët, “Çdo gjë nuk konsiderohet dashuri”.
Princesha më vonë tha se ishte “absolutisht e traumatizuar” nga përgjigjja e tij.
Çifti kurorëzoi martesën në një ceremoni luksoze në Westminster Abbey më 29 korrik të vitit 1981 – një ngjarje e ndjekur nga rreth 750 milionë njerëz në mbarë botën.
“Ne ishim tre persona në këtë martesë”: Lidhja me Camilla-n dhe ndarja nga Diana
Charles dhe Diana mirëpritën fëmijën e tyre të parë, William, në qershor të vitit 1982, më pas erdhi edhe fëmija i tyre i dytë, Harry, i cili lindi në shtator të vitit 1984.
Ai bëri bujë duke qenë babai i parë mbretëror që ishte i pranishëm në lindjet e fëmijëve të tij.
Por problemet në martesën e çiftit u bënë shumë shpejt të dukshme.
Diana e dinte që Charles dhe Camilla kishin një lidhje, deklaratë të cilën e kishte thënë në intervistën e famshme të Panorama-s në vitin 1995, “Ishim tre persona në këtë martesë, kështu që ishte pak rrëmujë”.
Princesha tha se në vitin 1986, ajo ishte “thellësisht e dashuruar” me dikë tjetër – që mendohej se ishte oficeri i mbrojtjes mbretërore Barry Mannakee – dhe më vonë ajo filloi një lidhje pesëvjeçare me Major James Hewitt, i cili kishte qenë instruktori i saj i kalërimit.
Kishte thashetheme të gjata se Hewitt ishte babai i Harryt – diçka që e ka mohuar vetë Hewitt.
Në nëntor të vitit 1992, Princi dhe Princesha e Uellsit vizituan Korenë e Jugut në një udhëtim zyrtar së bashku, por ata u quajtën “të zymtë” nga shtypi tabloid për shkak të paraqitjeve të tyre të pakënaqura.
Një muaj më vonë, kryeministri i atëhershëm, John Major në parlament dha lajmin e ndarjes mes Charlesit dhe Dianas.
Princesha e Uellsit më vonë tha se ndjeu “trishtim të thellë” për vendimin e tyre dhe se ata “kishin luftuar për ta mbajtur atë”.
Menjëherë pas ndarjes së tyre, u publikua një transkriptim i një bisede telefonike pasionante mes Charles dhe Camillas, e regjistruar në vitin 1989, duke zbuluar detaje intime të marrëdhënies së tyre – me skandalin e quajtur “Camillagate”.
Charles më vonë tha se kishte qenë besnik ndaj Dianës derisa martesa “mori një rrugë të pakthyeshme”.
Dyshja u shkurorëzuan në muajin gusht të vitit 1996.
Vdekja e Princeshës Diana
Një vit pas shkurorëzimit me Charles, Diana vdiq në një aksident automobilistik në Paris së bashku me partnerin e saj, Dodi Fayed dhe shoferin, Henri Paul.
Charles ia njoftoi lajmin Williamit 15-vjeçar dhe Harryt 12-vjeçar ndërsa udhëtoi drejt kryeqytetit francez me motrat e Dianës për ta tërhequr trupin e pajetë.
Princi dhe Familja Mbretërore u përballën me kritika për qëndrimin në pronën e tyre Balmoral në Skoci për një javë pas vdekjes së Dianas.
Por, Harry më vonë tha se babai i tij “u përpoq të bënte më të mirën dhe të sigurohej që ata të mbroheshin”, duke shtuar se “ai po kalonte gjithashtu të njëjtin proces pikëllimi”.
Në funeralin e Dianës, Charles, William dhe Harry ecën pas arkivolit – së bashku me Princin Philip dhe vëllain e Dianës, Earl Spencer – ndërsa procesioni po përshkruante rrugët e Londrës.
William më vonë e përshkroi përvojën si “një nga gjërat më të vështira që kishte përjetuar ndonjëherë”, dhe Harry tha se asnjë fëmije “nuk duhet t’i kërkohet të bëjë” atë që bënë ata.
Marrëdhënia me Camilla-n dhe martesa e dytë
Charles dhe Camilla – (e cila u shkurorëzua nga Andrew Parker Bowles në vitin 1995) – u fotografuan si çift për herë të parë në hotelin Ritz të Londrës në janar të vitit 1999.
Një festë për ditëlindjen e 50-të për motrën e saj Annabel Elliot, sinjalizoi se lidhja e tyre e gjatë e dashurisë tashmë ishte “zyrtare”.
Ata zyrtarizuan lidhjen në shkurt të vitit 2005 kur Charles i dhuroi Camillas një unazë të fejesës që i përkiste nënës së tij, transmeton Telegrafi.
Mbretëresha dhe Duka i Edinburgut nuk morën pjesë në ceremoninë e martesës civile në Windsor’s Guildhall, por ishin në bekimin fetar në kapelën e Shën Gjergjit.
Camilla mori titullin Dukeshë e Cornwall pas martesës.
Titulli gjysh dhe detyrat e mbretëreshës që mori përsipër
Para lindjes së Princit George në vitin 2013, Charles tha se perspektiva për t’u bërë gjysh kishte nxitur bindjet mjedisore, sepse ai nuk donte të “përdorte një botë gjithnjë e më jofunksionale”.
Ai tani ka pesë nipër e mbesa, George-in, Charlotte-n, Louis-in, Archie-in dhe Lilibet-in.
Më vonë, Charles shprehu dashurinë e dukshme ndaj nënës së tij, madje gjatë festimit të ditëlindjes së saj të 92-të në Royal Albert Hall iu referua asaj me emrin ‘mami’.
Ai mori përsipër më shumë detyra, të tilla si vendosja e një kurore në Cenotaph në Londër në ceremoninë vjetore të së Dielës së Përkujtimit.
Pas vdekjes së Princit Philip në vitin 2021, Charles nderoi “Babanë e dashur” dhe vlerësoi “shërbimin e tij të jashtëzakonshëm dhe të përkushtuar ndaj Mbretëreshës”.
Ai drejtoi procesionin e funeralit të babait të tij dhe u shfaq i përlotur gjatë shërbimit, ku ai dhe Camilla u ulën përballë Mbretëreshës.
Përplasja me Harryn
Marrëdhënia e përkeqësuar e Charles me Princin Harry ka qenë në qendër të vëmendjes viteve të fundit.
Ai e përcolli Meghanin në korridor në ditën e dasmës së saj dhe Harryt në vitin 2018, por marrëdhëniet mes tyre që atëherë janë acaruar.
Harry e kritikoi babanë gjatë intervistës së Dukës dhe Dukeshës së Sussexit me Oprah Winfrey pasi ata dhanë dorëheqje nga titujt mbretërore dhe u transferuan në Kaliforni.
Princi Harry tha se ai ndihej “me të vërtetë i zhgënjyer” nga babai dhe pretendoi se Charles kurrë më nuk ju është përgjigjur në telefonata.
Meghan pretendoi se një anëtar i paidentifikuar i familjes mbretërore ngriti “shqetësime” për ngjyrën e lëkurës së Archie-it përpara lindjes së tij – e që më vonë ai person pretendohej se ishte Charles.
Kjo u mohua me forcë nga një burim i pallatit, i cili tha se “ky është trillim dhe nuk ia vlen të komentohet më tej”.
Charles nuk i është përgjigjur drejtpërdrejt komenteve të Harryt dhe Meghanit, por një mik tha për “Mail on Sunday” se ishte “thellësisht i lënduar”.
Kampioni i mjedisit, dhe tallej se ‘fliste me bimët’
Charles për herë parë foli publikisht për ndotjen dhe plastikën si dhe ndikimin e tyre në botën natyrore në vitin 1970.
Ai u tall pasi pranoi në vitin 1986 se ‘fliste me bimët dhe pemët’, duke thënë se “unë sapo vij flas me bimët, me të vërtetë – shumë e rëndësishme të flas me ta. Ato më kthejnë përgjigje”.
Por, ai u qëndroi komenteve të vitit 2013, duke thënë se tani preferonte të “udhëzonte” bimët e tija.
Charles nuk ha drekë dhe çaji i preferuar është Darjeeling me mjaltë dhe qumësht.
Ai bëri një paraqitje të shkurtër në Coronation Street në vitin 2000 ndërsa njëherë e ka prezantuar parashikimin e motit në BBC.
Duka dhe Dukesha e Cornwall u shfaqën gjithashtu në një shfaqje komike “The Beano” në vitin 2013.
Në vitin 1975, Charles u bë anëtar i Rrethit Magjik – shoqëria e magjistarëve të skenës e themeluar në Londër – pasi kaloi audicionin me një truk “kupa dhe topa”.
Ai është president ose mbrojtës i më shumë se 420 organizatave ndërsa shoqatat që drejton mbledhin më shumë se 100 milionè funte për kauza të mira.
A do të jetë Charles një mbret popullor?
Eksperti dhe biografi i familjes mbretërore, Christopher Warwick beson se Charles do të jetë një nga mbretërit më popullor që mund të mbretërojë për dekada.
“Unë mendoj se ai është një djalë i shkëlqyer, por ai nuk ka të njëjtën ngrohtësi dhe karizem që kishte nëna e tij. Kjo do të jetë një rrugë e vështirë për t’u ndjekur”, deklaroi fillimisht ai.
“Ne kemi parë tashmë se çfarë lloj njeriu është ai, ne e dimë se ku qëndrojnë interesat e tij, çfarë organizatash dhe organesh mbështet dhe e dimë se çfarë përkrahë. Ndërsa nuk ka asnjë arsye për të dyshuar ndonjërën prej tyre, me përgjegjësitë e monarkisë, kjo do të vendosë një perspektivë krejtësisht të ndryshme në pjesën tjetër të jetës së tij”, shtoi Warwick.
“Ai në të kaluarën ka marrë kritika për dërgimin e letrave të shkruara me dorë politikanëve të ndryshëm. Në përgjithësi, unë mendoj se Charles është një njeri popullor dhe do të jetë një mbret popullor. Duke pasur parasysh jetëgjatësinë e prindërve dhe gjyshes së tij… ai mund të mbretërojë 20 vjet përpara se William ta pasojë në fron”, përfundoi biografi.