Institucionet kosovare të sigurisë dyshojnë se Serbia është duke i rihapur zyrat në të cilat deri para dhjetë vitesh ka funksionuar policia e saj ilegale në katër komunat veriore të Kosovës.
Për ekzistimin e këtyre informatave raportoi Radio Evropa e Lirë gjatë ditës së djeshme.
Në komunën e Zveçanit zyra e Ministrisë së punëve të brendshme të Serbisë po dyshohet që është vendosur në afërsi të shkollës Vuk Karagjiq.
Gjatë së shtunës RTV Dukagjini ka kërkuar qëndrimin e Policisë së Kosovës por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje, mirëpo misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX thotë se nuk ka hasur në zyra të tilla.
“Gjatë patrullimeve tona vëzhguese të rregullta nuk kemi vërejtur ndonjë ndryshim në terren”.
Por Presidenca ka reaguar pas këtyre raportimeve.
Blerim Vela, shef i kabinetit të Presidentes, ka thënë se hapja e zyrave ilegale të MPB serbe do të ishte përshkallëzim serioz i situatës në terren nga Serbia.
“Kjo do të ishte një shkelje e hapur e marrëveshjeve të Brukselit. Vuçiq do të mbajë përgjegjësi”, ka deklaruar Vela.
Televizioni ka pyetur edhe kryetarin e zgjedhur shqiptar të Zveçanit, Ilir Peci, por ai ka thënë se nuk ka informata për struktura të reja në atë komunë, ndërsa sipas ish zëvendësministrit të punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, këto struktura paralele asnjëherë nuk kanë qenë inekzistente.
“Nëse i analizojmë të gjitha veprimet e ndërmarra nga strukturat paralele por edhe nga persona të paidentifikuar deri më tash, kanë një emërues të përbashkët, ajo është tensionimi. Pra interesi për tensionimin e situatës në veri të vendit me të vetmin qëllim që ta favorizojë pozitën e Serbisë në dialog me Kosovën.
Zyrat e ministrisë së punëve të brendshme të Serbisë në Mitrovicën e Veriut, Zveçan Zubin Potok dhe Leposaviq ishin mbyllur në vitin 2018.
Pas marrëveshjes së arritur në dialogun e Brukselit ato u integruan në institucionet e Kosovës kryesisht në Policinë e Kosovës./RTV Dukagjini/