Gjermania do t’i sigurojë Ukrainës ndihmë ushtarake shtesë me vlerë më shumë se 2.7 miliardë euro, duke përfshirë tanke, sisteme kundërajrore dhe municione, ka konfirmuar qeveria gjermane.
Gazeta gjermane e lajmeve, Der Spiegel raportoi më herët se paketa do të përfshinte një sërë armësh si automjetet luftarake të këmbësorisë Marder, tanket Leopard 1 dhe dronët e zbulimit.
Njoftimi erdhi ndërsa përgatitjet ishin duke u zhvilluar në Berlin për një vizitë të parë të mundshme të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, e cila do të jetë e para që kur Rusia pushtoi Ukrainën.
Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius pohoi se në këtë mënyrë Berlini dëshiron të tregojë se “Gjermania është serioze në mbështetjen e saj” për Ukrainën.
“Gjermania do të ofrojë të gjithë ndihmën që mundet, për aq kohë sa duhet”, tha ai, raporton skynews.
Ndërsa vizita e Zelensky të dielën ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, kjo do të ishte një shenjë se janë përmirësuar marrëdhëniet midis Ukrainës dhe Gjermanisë.
Kievi ka qenë prej kohësh dyshues rreth varësisës së shtetit gjerman në energjinë ruse dhe mbështetjen për tubacionet e gazit Nord Stream që anashkalojnë Ukrainën, të mbrojtur nga kancelarja e atëhershme Angela Merkel.