Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta së bashku me bashkëshorten Monika Kryemadhi dhe fëmijët kanë votuar në kopshtin numër 31 në rrugën “Pjetër Bogdani” në zonën e ish-bllokut.
Duke folur për mediat, Meta ka theksuar se qytetarët duhet të ushtrojnë të drejtën e votës pasi nëse nuk votojnë s’kanë të drejtë të kërkojnë llogari ndaj të zgjedhurve të tyre. Ai e cilësoi ditën e sotme si koha kur merr fund monizmi absolut siç e cilësoi ai qeverisjen e kryeministrit Rama.
“Votuam si familje e kompletuar sepse për herë të parë votoi edhe Era. Ishte një kënaqësi që edhe ajo ta kishte këtë mundësi.
Me këtë rast, unë kam vetëm një lutje për të gjithë qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë; pjesëmarrje, pjesëmarrje dhe përsëri pjesëmarrje sepse vetë demokracia është pjesëmarrje dhe nuk ka ndryshim pa pjesëmarrje. Njëkohësisht dhe e drejta që ka një qytetar në demokraci është vota.
Ajo është themeli i lirisë, i dinjitetit dhe i fuqisë së tij. Qytetari që nuk e ushtron këtë të drejtë as të ankohet dhe as të kërkojë llogari.
Prandaj ushtrojeni këtë të drejtë sot dhe vetëm pjesëmarrjes dhe përmes kësaj mundësie që ua mundëson Kushtetuta e Shqipërisë ju mund të bëheni pjesë e ndryshimit dhe t’u kërkoni llogari të gjithëve. Ditë e madhe për Shqipërinë, merr fund monizmi absolut, dhe rivendoset transparenca absolute”, u shpreh Meta.