Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar këtë të mërkurë në Fushë Kuqe të Kurbinit. Në shënjestër ka qenë ish-deputeti i Partisë Socialiste Armando Prenga.
Autoritetet policore bëjnë me dije se shtetasi F. I., 29 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të automjetit të ish-deputetit. Më pas, autori është larguar me një automjet tip “Benz” dhe është shpallur në kërkim nga Policia.
Njoftimi i policisë:
Shtetasi A. P., 49 vjeç, ka njofuar sallën operative të Komisariatit të Policisë Kurbin se në Fushë Kuqe, ndërkohë që qarkullonte me automjet, shtetasi F. I., 29 vjeç, kishte qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të automjetit të tij. Nga të shtënat nuk ka asnjë shtetas të dëmtuar.
Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë, kanë rrethuar zonën dhe po vijojnë kontrollet, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasit F. I., i cili është shpallur në kërkim, bashkë me automjetin tip “Benz” me të cilin është larguar.
Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave të këtij rasti.