Prej dy ditësh, pjesa më e madhe e rajonit të Emilia Romagna-s në Itali është përfshirë nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut, të cilat i kanë marrë jetën të paktën 9 personave.
Edhe pse reshjet kanë pushuar, mediat italiane raportojnë se zonat e përmbytura janë zgjeruar gjatë natës në Ravena, një nga më të goditurat nga moti i keq. TgCom shkruan se evakuimet kanë vijuar edhe gjatë natës në zonën e Castel Bolognese e në Ravena, ku ka pasur probleme edhe me ujin e pijshëm.
Qendra historike e Lugos, në zonën e Ravenës, është përmbytur. Aty uji ka arritur një nivel më shumë se një metër.
Mbi 13 mijë persona janë evakuuar, ndërsa 50 mijë kanë mbetur pa energji elektrike. Shkollat mbeten të mbyllura në shumicën e bashkive të prekura, veçanërisht në zonat e Bolonjës dhe Ravenës.