Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se duhet të shmanget çdo konflikt dhe përplasje që çon në rritjen e tensioneve me betimin e kryetarëve të rinj në veri.
Në një prononcim për median pas takimit me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë, Hovenier, tha se SHBA-ja nuk mendon që është ide e mirë që të përdoret forca për të arritur qasje në ndërtesat e komunave.
“Unë i kam bërë disa komente dje. Ne folëm për të njëjtën gjë. SHBA-ja mendon që kjo gjë duhet të përfundojë, duhet të shmangen konfliktet dhe veprimet që çojnë në rritjen e tensioneve në veri. Ne nuk mendojmë që është ide e mirë që të përdoret forca për të arritur qasje në ndërtesat që mund të mos jenë që qasshme”, ka thënë ai.
I pyetur nga gazetarët nëse SHBA-ja e mbështet një draft të ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të propozuar nga kryeministri Albin Kurti, ambasadori Hovenier tha se duhet të dinë vizionin.
“Ne kemi thënë disa herë që duhet të vendosen idetë në tavolinë, ta dimë se çfarë vizioni ka. Ne duam që ky proces të ecë përpara. Ne shumë shpesh kemi thënë gjëra të cilat i ka thënë edhe kryeministri Kurti. Ne nuk duam që Asociacioni të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Ne e kemi bërë versionin tonë të qartë. Por është e rëndësishme që edhe Kosova t’i vë idetë e saja në tavolinë”, ka thënë ai
Betimi i kryetarëve të zgjedhur në veri është planifikuar të mbahet nesër, ndërkohë presidenti serb, Aleksandar Vuçiç deklaroi sot se kryetarët e komunave veriore nuk do të pranohen kurrë.