I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin nismën e njohur si “Ballkani i hapur”, por me kushte.
Duke folur para Komitetit të Punëve të Jashtme të Senatit Amerikan, Escobar ka theksuar se SHBA mbështet “Ballkanin e Hapur” po aq sa edhe procesin e Berlinit.
“Ne mbështesim ‘Ballkanin e hapur’ dhe mbështesim tregun e përbashkët aq sa e mbështesim edhe Procesin e Berlinit.
Ne do të vazhdojmë t’i shikojmë me kujdes. ‘Open Balkan’ është një mundësi për integrimin ekonomik.
Duhet të jetë plotësues dhe jo konkurrent me iniciativat e tjera. Duhet të jetë i hapur për të gjithë, i barabartë për të gjithë”, u shpreh Escobar.
Ai vuri në dukje se Serbia duhet ta pranojë Kosovën si anëtare të plotë në Ballkanin e Hapur në mënyrë “për të krijuar një integrim më të madh për Kosovën në rajon, nëse kjo iniciativë ec para. Përndryshe nuk do ta përkrahim”- tha ai.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, duke theksuar se Ballkani i Hapur do të sjellë përfitime të mëdha për të gjitha vendet në aspektin e integrimit politik dhe ekonomik.
Në mbledhjen e Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u konstatua edhe ndikimi që ka Kina në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Gjithashtu, po në këtë mbledhje u miratua Akti i Demokracisë dhe Prosperitetit të Ballkanit Perëndimor sipas të cilit “ të krijohet një iniciativë rajonale e konkurrencës ekonomike, e cila do të mbështeste qëndrueshmërinë demokratike, zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin në rajon. Të krijohet nisma kundër korrupsionit që drejton Sekretarin e Shtetit të ofrojë asistencë teknike për çdo vend në Ballkanin Perëndimor për të zhvilluar një strategji kombëtare kundër korrupsionit. Kodifikon dy urdhra ekzekutivë të SHBA-së që do të jepnin autoritet për sanksione kundër atyre që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe janë të përfshirë në sjellje korruptive. Nxit partneritetet universitare dhe iniciativat rinore, inkurajon angazhimin e Korpusit të Paqes në rajon dhe kërkon që Korporata Financiare e Zhvillimit të hapë një zyrë të shpallur më parë në rajon”