Alarmet për sulme ajrore u dëgjuan në të gjithë Ukrainën në orët e para të së premtes, pasuar nga raportime për shpërthime në zona të ndryshme.
Zyrtarët ukrainas konfirmuan aktivizimin e njësive kundërajrore në shumë rajone. Alarmet për sulme ajrore vazhduan në Ukrainën perëndimore deri në mëngjes, por ishin të kufizuara në dy rajone në lindje dhe në Krimenë e aneksuar nga Rusia në jug.
Kreu i administratës ushtarake të Kievit, Serhiy Popko, tha se forcat ruse kishin lëshuar valë të njëpasnjëshme dronësh drejt kryeqytetit, sulmi i dhjetë këtë muaj dhe i dyti në më pak se 24 orë.
“Kjo taktikë e Kremlinit është një përpjekje për të mposhtur forcat tona kundërajrore dhe për të ushtruar presion psikologjik mbi civilët “, shkroi Popko në Telegram.
“Të gjitha objektivat ajrore të lëshuara në drejtim të Kievit u shkatërruan nga mbrojtja jonë kundërajrore”, shtoi ai.
Ndërkohë shpërthime u raportuan në rajone gjerësisht të ndara, duke përfshirë Krivi Rih në Ukrainën qendrore dhe Rivne dhe Lutsk në perëndim.
Sipas një mesazhi Telegram nga ushtria e Ukrainës, avionët rusë u panë në qiell, duke paraqitur një kërcënim të sulmeve me raketa hipersonike Kinzhal. Në një deklaratë të mëparshme ushtarake përmendte rrëzimin e disa objektivave ajrore, por pa dhënë informacione të mëtejshme.
Ushtria kishte lëshuar një paralajmërim se rajonet qendrore dhe Kievi ishin në rrezik nga sulmet me dron. Agjencia ruse e lajmeve Tass, duke cituar zyrtarë të instaluar nga Rusia në zonën e kontrolluar nga Moska të rajonit të Donjeckut, tha se forcat ukrainase kishin gjuajtur tetë raketa në këtë zonë, por nuk dhanë detaje për dëme apo viktima.