Pas pjesëmarrjes në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri të Malit të Zi, kreu i shtetit shqiptar Bajram Begaj është takuar me të Ngarkuarin e Posaçëm të qeverisë britanike për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach.
“Në qendër të takimit ishin zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe nevoja e krijimit të një fryme të re bashkëpunimi, me synim minimizimin maksimal të propogandës dhe influencës së aktorëve të tretë dashakeqës ndaj zhvillimeve euroatlantike të vendeve të rajonit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Presidenti Begaj vlerësoi rolin aktiv të qeverisë britanike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe angazhimin personal të Lord Peach në këtë drejtim, krahas kontributit të të dërguarve të posaçëm amerikanë dhe të Bashkimit Evropian.
“Të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe tek efektet negative që ka prodhuar lufta në Ukrainë për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor”, shkruhet më tej në njoftimin e Presidencës.