Pasi ka marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviq, presidentja e Kosovës ka zhvilluar në Podgoricë një takim me të dërguarin e posaçëm të ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Zyra e Presidencës së Vjosa Osmanit ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë e rajon, ku fokusi i diskutimit ka qenë zbatimi i marrëveshjeve me Serbinë të arritura në Bruksel dhe Ohër.
Osmani thuhet se ka theksuar se Kosova përbën një palë konstruktive dhe ka kërkuar që zbatimi i marrëveshjeve duhet të jetë i plotë.
Presidentja e Kosovës ka theksuar se duhen parandaluar përpjekjet e Serbisë për ta minuar zbatimin e tyre.
“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka theksuar se Republika e Kosovës është pajtuar me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër, si tërësi dhe pa parakushte të cilat synojnë përqendrimin vetëm në një nen apo në një pjesë të marrëveshjes”, thuhet në komunikatën për media nga zyra e Presidencës.
Osmani ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për “mbështetjen e vazhdueshme dhe garancën e tyre që i gjithë procesi të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe në funksion të ruajtjes se funksionalitetit të shtetit dhe përshpejtimit të integrimit ndërkombëtar të vendit tonë”.