Samueli nga Filipinet, i cili punon e jeton në Shqipëri me bashkëshorten, rrëfen se u largua nga vendlindja për arsye ekonomike dhe kushtet e vështira të jetesës. Ai shprehet se u gëzua shumë kur e telefonuan nga Shqipëria pas aplikimit për punë, e për këtë arsye do të dëshironte të merrte këtu edhe 2 fëmijët e tij që jetojnë ende në Filipine.
Në një intervistë për Euronews, Samueli tha se i pëlqen Shqipëria, pasi është vend i qetë. Por ai bëri dhe një kritik në lidhje atë çka nuk i pëlqen këtu, dhe që janë mbeturinat që ndodhen kudo.
“Kërkova në internet përpara se të vija këtu. Njerëzit janë shumë të mirë dhe ka vende të bukura. Është një vend i dashur. Më vjen keq ta them, por gjëja që s’më pëlqen këtu janë mbeturinat, të cilat janë gjithandej. Shqipëria nuk është e vështirë të pëlqehet. Unë jam përshtatur shumë shpejt këtu. Në 2009 shkova në Arabinë Saudite, punova për 3 vite.
Të them të drejtën se vendosa të jetojë këtu sepse është një vend i qetë. Në Filipine ishte shumë e zhurmshme. Atje nuk kisha punë dhe bëra kërkimet në internet dhe gjeta Shqipërinë”, tha ai.
Samueli rrëfen se u largua nga vendlindja së bashku me bashkëshorten për arsye ekonomike dhe kushtet e vështira të jetesës.
Ai tha se fëmijët e telefonojnë dhe e këshillojnë që të tregohet i zoti në punë në mënyrë që ata të ushqehen dhe të arsimohen.
Sipas tij ai fitonte në Filipine 150 dollarë në muaj dhe ishin të pamjaftueshme për një familje me 4 persona.
“Më morën në telefon dhe më thanë që e pranova punën. Isha shumë i lumtur. Djali im më tha, babai tregohu i zoti në punë që ne të jetojmë. Duhet ta bëja jam babai i familjes dhe duhet të gjeja para për të jetuar, që të jetojnë dhe të arsimohen. Ata jetojnë në Filipine me tezen time”, tha ai.