Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar masakrën e Dubravës në 24-vjetorin e saj.
Haradinaj ka thënë se ato ditë maji të vitit 1999 Serbia kreu krimin më mizor ndaj shqiptarëve.
“Për disa ditë me radhë, nga 19 deri më 22 maj 1999, ndodhi një ndër masakrat më makabre që pushtuesi serb bëri ndaj shqiptarëve. Ato ditë maji të vitit 1999, shteti serb kreu krimin më mizor e të planifikuar, duke vrarë mbi 130 të burgosur shqiptarë dhe plagosur mbi 200 të tjerë, në burgun e Dubravës”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se këto masakra janë mirë të dokumentuara por askush ende nuk është përballur me drejtësinë.
“Kjo masakër e shpërfaqë qartë mendësinë gjenocidale të shtetit serb, ku si synim kryesor kishte zhdukjen e qenies shqiptare, përmes spastrimit etnik, masakrave kudo në Kosovë e dëbimin me dhunë të më shumë se të gjysmës së popullatës nga trojet e tyre”.
“Edhe pse këto masakra janë mirë të dokumentuara, ende askush nuk është përballur me drejtësinë. Shteti serb, edhe më tutje refuzon të pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për krimet e kryera, e ne nuk duhet të ndalemi në betejën tonë për zbardhjen e të vërtetës”, është shprehur Haradinaj.
I pari i AAK-së ka shtuar liria dhe shteti që e kemi sot, janë rezultat i një çmimi shumë të lartë
“Liria dhe shteti që e kemi sot, janë rezultat i një çmimi shumë të lartë! Sakrifica e të rënëve mbetet motivim për angazhim të gjithanshëm për ta dashur atdheun e për ta zhvilluar shtetin ashtu siç ëndërruan ata”, ka përfunduar Haradinaj.