Senatori amerikan, Chris Murphy tha të hënën se është e rëndësishme që zotimet e bëra në kuadër të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të realizohen sa më shpejt që është e mundur nga të dyja palët.
Ai i bëri këto komente në Prishtinë ku së bashku me senatorin Gary Peters, mbajtën takime me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.
Senatorët demokratë amerikanë po qëndrojnë në Prishtinë në kuadër të një vizite në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Senatori Murphy pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti tha se zbatimi i marrëveshjes përfshin zgjedhje të vështira për të dyja palët.
“Serbia do të duhet të ndalojë së penguari Kosovën që të hyjë në organizatat ndërkombëtare dhe ne besojmë se ka kuptim që të lejohet që komunat me shumicë serbe të kenë njëfarë aftësie për të bashkërenduar në shërbimet që ato ofrojnë. Por koha është thelbi. Ky është një vit për ta realizuar këtë dhe për të qenë në gjendje të ecim drejt një rruge normalizimi që çon në njohje të ndërsjellë dhe ne jemi të lumtur që dëgjojmë për planet tuaja për ta zbatuar këtë marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur dhe ne gjithashtu jemi të gatshëm të këmbëngulim në atë përpjekje”, tha senatori Murphy.
Senatori Gary Peters tha se “duhet të ketë njëfarë sigurie se çfarë po ndodh me Serbinë. Ne jemi të inkurajuar nga marrëveshja që është bërë dhe tani zbatimi është faktori kyç për të ecur përpara dhe ne folëm gjatë për këtë”.
Senatorët amerikanë thanë se e mirëpresin marrëveshjen e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila sipas tyre përfshin njohjen e ndërsjellë të dokumente zyrtare.
Udhëheqësit e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti thanë se Kosova do të zbatojë secilin detyrim për të cilin është pajtuar si pjesë e dialogut me Serbinë.
“Siç e dini komunat në Republikën e Kosovës kanë të drejtë të mblidhen në Asociacione për të koordinuar punën e tyre por e gjithë kjo në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 si dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar të qeverisë amerikane të publikuar nga dy zyrtarët e Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar”, tha presidentja Osmani.
“Ato përbëjnë avancim në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe janë platformë e mundësi për normalizim të plotë të tyre prandaj na duhet zbatim i tërësishëm, i shpejt dhe pakushtëzime”, tha kryeministri Kurti.
Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një kërkesë e theksuar shpesh së fundmi nga diplomatët perëndimorë, por edhe nga Beogradi i cili me të e kushtëzon kthimin e serbëve vendas në institucionet e Kosovës që i braktisën në fund të vitit të kaluar por edhe me zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.
Autoritetet në Kosovë thonë se kërkesat që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të jetë parakusht për zbatimin e pikave tjera të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, dëmtojnë procesin e bisedimeve ndërmjet të dyja palëve.