Rritja e pagës mesatare në 900 euro do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 46.5 milionë euro. Nga 74 mijë e 450 lekë apo 650 euro që aktualisht paga mesatare është, shtesa për të arritur objektivin është 250 euro. Administrata publike aktualisht, përfshirë pushtetin qendror dhe atë vend numëron rreth 186 mijë të punësuar.
Rrjedhimisht, nga arka e shtetit do të dalin çdo vit rreth 5.2 miliardë lekë më tepër.
Referuar relacionit të projektligjit të depozituar në Kuvend, si dhe deklaratave nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj këto fonde shtesë do të gjenerohen kryesisht nga rritja ekonomike dhe zgjerimi i borxhit publik.
Gjithashtu më shumë para’ pritet të grumbullohen nga administrata tatimore nëpërmjet rritjes së taksave si dhe nga përmirësimi i produktivitetit të të punësuarve.
Presidenti i Republikës do të jetë titullari i parë, paga e së cilit do të dyfishohet në 425 mijë lekë.
Kryeministri që aktualisht merr 245 mijë lekë, deputetët që paguhen 156 mijë e 770 lekë apo zëvendës/kryeministri bashkë me specialistët do të marrin rritje pagash, por nisur nga viti i ardhshëm, në bazë të disa koeficienteve sipas shkallës së hierarkisë.
Për shkak të zgjerimit të administratës publike, veçanërisht në 5 vitet e fundit nga buxheti i shtetit dalin aktualisht gati 97 miliardë lekë nga pak më shumë se 90 miliardë gjatë 2022-shit apo rreth 80 miliardë në 2019-n.