Një tjetër zyrtar rus ka vdekur në rrethana misterioze. Bëhet fjalë për Piotr Kucherenko, zëvendësministri i Shkencës dhe Arsimit të Lartë. Referuar mediave ndërkombëtare, 46-vjeçari ka ndërruar jetë teksa ishte në aeroplan duke u kthyer nga Kuba në Rusi së bashku me një delegacion qeveritar.
“Kucherenko ndjeu një siklet në aeroplan teksa po kthehej me delegacionin rus nga një udhëtim pune në Kubë. Avioni bëri një ulje emergjente në Mineralny Vody (qyteti i Stavropolit), ku mjekët ndërhynë, por nuk arritën ta shpëtonin atë”, njoftoi Ministria e Shkencës në një deklaratë modeste për mediat.
Ajo që ishte befasuese ishte fakti që zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov deklaroi sot se nuk kishte dijeni për vdekjen e zv.ministrit.
Dyshimet shtohen sepse sipas dëshmisë së një gazetari rus Roman Super, Kucherenko kishte bërë thirrje që të largoheshin nga vendi.
“Shpëtoni veten dhe familjen tuaj. Largohuni sa më shpejt nga vendi. Nuk mund ta imagjinoni shkallën e brutalitetit të vendit tonë në Ukrainë. Në një vit, ju nuk do ta njihni Rusinë. Duke u larguar, po bëni gjënë e duhur”, mësohet t’i ketë dhënë Kucherenko-gazetarit.
Që nga fillimi i luftës, 13 anëtarë të komunitetit të biznesit të Rusisë kanë vdekur, ose vetëvrasje ose për shkaqe të paspecifikuara, 6 prej tyre punonjës të rangut të lartë të dy prej kompanive kryesore të energjisë në vend.