Kurti tha se zgjedhjet e prillit ishin të qeta, pa incidente, por, “trysnia e drejtpërdrejtë nga Beogradi zyrtar ndikoi drejtpërdrejtë në daljen e ulët të qytetarëve serb në zgjedhje”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fillim të mbledhjes së kabinetit qeveritar ka bërë të ditur se të enjten në ndërtesa publike do të mbahen seancat konstituive dhe do të betohen tre kryetarët e rinj të komunave veriore të banuara me shumicë serbe, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, raporton Anadolu.
Kurti në fjalën e tij para anëtarëve të kabinetit qeveritar tha se nuk është normale që tash e gjashtë muaj në katër komunat veriore, Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan të mbesin pa kryetar, por edhe qytetarët e këtyre komunave të mbesin pa shërbime komunale.
Kurti tha se zgjedhjet e prillit ishin të qeta, pa incidente, por, “trysnia e drejtpërdrejtë nga Beogradi zyrtar ndikoi drejtpërdrejtë në daljen e ulët të qytetarëve serb në zgjedhje”.
Sipas kryeministrit kosovar fushata të tilla kërcënuese nga Beogradi zyrtar ndaj serbëve lokal veçanërisht në katër komuna në veri të vendit “janë të shpeshta dhe të vazhdueshme, por, veç pse diçka ndodh shpesh dhe vazhdimisht, nuk do të thotë që është normale dhe e pranueshme”.
“Nesër në ndërtesa publike në këto komuna do të mbahen seancat konstituive dhe betimi i tre kryetarëve të rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Kanë kaluar mbi 6 muaj prej kur këto katër komuna mbetën pa kryetar, dy prej tyre edhe pa Kuvende, e banorët atje pa shërbime komunale, kjo nuk është normale. Veprimet tona kanë në qendër funksionalizimin demokratik të institucioneve shtetërore dhe garantimin e shërbimeve publike për të gjithë qytetarët pa dallim”, tha ai.
Të premten e javës së kaluar, u betua kryetari i zgjedhur i Komunës Veriore të Mitrovicës, Erden Atiq. Nënkryetare e komunës u emërua Katarina Axhançiq, që vjen nga radhët e komunitetit serb, derisa dje u emëruan në këtë komunë edhe katër drejtorë: një serb, një boshnjak, një egjiptian dhe një shqiptar.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore u mbajtën për shkak të dorëheqjes së kryetarëve që vinin nga partia më e madhe serbe Lista Serbe, si reagim ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale.
Pas betimit të kryetarit të ri Erden Atiq, të premten partia Lista Serbe nëpërmjet një konferencë të jashtëzakonshme për media në Mitrovicën e Veriut, tha se qytetarët serbë janë të përkushtuar për paqe, por se më 1 qershor do të pasojë një përgjigje vendimtare nga populli serb, “nëse nuk ndalet mohimi i të drejtave elementare të tyre”.
Shtetet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar), kanë shprehur shqetësimin e tyre për zgjedhjet lokale në veri të Kosovës për shkak se sipas tyre, duke marrë parasysh bojkotin e zgjedhjeve nga Lista Serbe, zgjedhjet “nuk përbëjnë zgjidhje politike të qëndrueshme afatgjatë për komunat e përfshira”.