Anija e fuqishme amerikane me energji bërthamore është ankoruar në Norvegji.
Aeroplanmbajtësja Gerald Ford, gjendet në shtetin nordik për të marrë pjesë në stërvitjet e përbashkëta ushtarake të vendeve të NATO-s.
Anija është më e madhja në botë e llojit të saj. Stërvitjet, që pritet të nisin në ditët e ardhshme përgjatë brigjeve të Norvegjisë, mbahen për të treguar forcën e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, në një kohë kur tensionet mes aleancës perëndimore dhe Rusisë lidhur me luftën në Ukrainë kanë arritur një pikë të paprecedentë.
Ambasada e Moskës në Oslo reagoi duke kritikuar prezencën e anijes amerikane, me arsyetimin se nuk ka çështje në Arktik që kërkojnë ndonjë zgjidhje ushtarake.
Nga ana tjetër, Kremlini nuk ka qëndruar duarkryq. Nëndetësja e re me raketa balistike dhe aftësi bërthamore e marinës ruse ka marrë urdhër që të zhvendoset për në një bazë permanente në gadishullin e Kamçatkës gjatë muajit gusht.
Sipas medias TASS, ky zhvillim bëhet në mënyrë që Moska të shtojë prezencën ushtarake në Paqësor. “Generalissimo Suvorov” ka hyrë në shërbim në fund të vitit të kaluar dhe mund të transportojë deri në 16 raketa ruse Bulava, që mbajnë koka bërthamore.