Policia ka zhvilluar një operacion në Lezhë, ku janë asgjësuar 3 mijë fidanë kanabis. Nëpërmjet një njoftimi për mediat, policia bën me dije se bimët narkotike u gjetën në territorin e fshatit Ungrej, në kubikë, të gatshëm për t’u kultivuar në tokë.
Kjo ishte faza e pestë e operacionit, ndërsa gjatë 4 fazave të mëparshme, në fshatra të ndryshëm të qarkut, u asgjësuan në total 849 fidanë narkotikë dhe u vunë në pranga 2 autorë të kësaj veprimtarie kriminale.
Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, vijon veprimet hetimore, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.