Partizani është shpallur kampion i Shqipërisë për herë të 17-të në historinë e tij dhe për presidentin Gazmend Demi sigurisht që është momenti për të festuar. Por nëse ka një peng për presidentin e të kuqve në këtë sukses, është fakti që skuadra e kuqe e fitoi trofeun ndërkohë që është me pikë të barabarta me skuadrën e vendit të dytë, Tiranën.
Në një lidhje direkte me me emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH, presidenti i të kuqve ka deklaruar: “Pengu më i madh për mua është që jam me pikë të barabarta me Tiranën. Dua të jap një opinion, por se kam unë në dorë: nëse ka mundësi, të bëhej një ndeshje direkte. Derbin e fundit se fituam dot, të bëhej një ndeshje direkte për të vendosur titullin. Nuk i shkon emrit tim që Partizani të dalë kampion me pikë të barabarta me Tiranën”.
“Afrim Tole ka deklaruar se Gaz Demi ka realizuar tripletën? Tole është një njeri shumë serioz i Partizanit. Te pjesa e Skukës është e vërtetë. Po të mos isha unë ky që jam, Skuka do të shitej 500 mijë euro, por këmbëngula unë dhe arritëm atje ku arritëm”.
“Unë kam 10 vite që punoj me stafe. Medaljet e gradat i marrin stafet, kjo ndodh në gjithë boten, unë vetëm hedh lekët e familjes time, nuk mërzitem fare. Kam 10 vite tani, kam eksperiencë, kam kaluar shumë stafe. Por po të ishte për stafet, Skuka do të ishte shitur 500 mijë euro”.
“Pasi bëmë sezon rikuperimi, ma kërkuan, në pesë ndeshje kam marrë 2 pikë. Kjo nuk kishte ndodhur asnjëherë në 10-vjeçarin tim. Kampionati duhet të ishte mbaruar shumë më përpara”.
“Ne e morëm trofeun se ashtu janë rregullat, por po të ishte në dorën time do e bëja me kënaqësi ndeshjen me Tiranën. Vërtet ne fituam në fund, gabimet e Tiranës suksesi jonë, por kur kujtoj atë 5 ndeshje 2 pikë, acarohem dhe dua të ulëras me të madhe. Për karakterin tim, titulli më ka shijuar, por jo ashtu si e dua unë. Nuk më shijon mua titulli me pikë të barabarta në sekondat e fundit”.
“Edhe para dy vitesh që e fitoi Teuta, ishim ne kampionë deri në momentin e fundit që na mundi Vllaznia në mes të Tiranës. Titulli shijohet si atëherë kur e kam fituar me Skënder Gegën, 11 pikë përpara. Megjithatë, është një titull i merituar, stafi dhe lojtarët kanë bërë punën e tyre, por Partizani ka qenë i investuar për ta fituar titullin që në fazën e dytë”.
“E ardhmja e Partizanit është e sigurtë, do të jetë shumë lart sa të jemë unë president. Mendoj se do bëjmë gjëra shumë të mira. Sistemi shqiptar ka një gjë shumë të keqe, sepse nuk bashkëpunojnë me njëri tjetrin. Unë kam dëshirë ti fus në bashkëpunim, do i shikoj pak nga pak. Më përpara kam bërë një shaka duke thënë se sa të jem unë te Partizani, Tirana nuk fiton, por nuk e them më. Tani do them se sa të jem unë, Partizani do jetë për kampion”.