Pavarësisht presionit ndërkombëtar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk tërhiqet nga vendimet e tij për komunat veriore. Nga Bratisllava, ku mori pjesë në forumin për sigurinë “GLOBSEC 2023”, bëri një lëshim të vogël, duke pranuar se kryetarët e rinj nuk kanë legjitimitet të plotë politik për shkak të pjesëmarrjes tepër të vogël në zgjedhje, por kërkoi që detyrën ta ushtrojnë nga godinat komunale. Kurti konfirmoi se policia dhe forcat speciale nuk do të largohen nga Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani, përderisa atje do të ketë struktura kriminale.
“Sa të ketë dhunë në katër komunave veriore, grafite me shkronjën ‘Z’ që tregohet admirimi për Putinin dhe agresionin e Rusisë në Ukrainë, duhet të jemi me njësi speciale nëpër komuna. Atje bëhen thirrje me ‘ubij-ubij’ që do të thotë ‘vriti-vriti’. Nuk e dorëzojmë republikën. Nëse këta kryetarë nuk duhet të jenë nëpër komuna, kush duhet të jetë?”, tha Kurti.
Shqetësim shprehu për skenat e dhunës, por jo frikë, teksa konfirmon se po punohet për gjetjen e një zgjidhjeje që ulë tensionet në veri të Kosovës. Kurti adresoi dhe raportet me aleatët ndërkombëtar duke pohuar se koordinohet vazhdimisht me ta, por nuk pajtohet gjithmonë me qëndrimin e tyre.
“Bashkësia ndërkombëtare me konsensus të përgjithshëm ka pranuar procesin e zgjedhjeve dhe rezultatet e tij. Ka pranuar këta kryetar që kanë bërë betimin dhe tani po i konteston këta kryetarë kur duan të hyjnë në një objekt që është zyrtar dhe publik.”
Gjatë qëndrimit në kryeqytetin sllovak, kryeministri Kurti u takua me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Europian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Miroslav Lajçak në kuadër të qëndrimit 1 ditor në kryeqytetin sllovak.
“Situata aktuale është e rrezikshme dhe e paqëndrueshme. Kemi nevojë urgjente për zbutje të situatës dhe zgjidhje përmes dialogut për t’iu rikthyer punës sonë për zbatimin e marrëveshjes së arritur”, u shpreh Borrell.
Ndërkohë, Kurti tha se dënoi sulmet nga ekstremistët serbë ndaj Policisë, KFOR-it dhe gazetarëve. Më herët, kryeministri i Kosovës e cilësoi si të padrejtë dhe naive deklaratën e sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken, se Kosova acaroi tensionet pa nevojë.
Në intervistat për mediat ndërkombëtare, ai fajësoi bandat fashiste të financuara nga Beogradi për dhunën në veri, ndërsa mbrojti qëndrimin e qeverisë së tij për të mundësuar hyrjen e kryebashkiakëve shqiptarë në objektet komunale.