Gjyqtarët e apelit të OKB-së rritën ndjeshëm dënimet e dy bashkëpunëtorëve të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, duke i konsideruar ata përgjegjës për përfshirje në krime në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në një qytet në Kroaci.
Ata u cilësuan si anëtarë të një plani të përbashkët kriminal për t’i dëbuar joserbët nga këto zona, gjatë luftërave ballkanike të viteve të 90-ta, me qëllim krijimin e një shteti etnikisht të pastër serb.
Dhoma e apelit në Mekanizmin Ndërkombëtar për Gjykatat Penale përmbysi vendimin për t’i liruar ata nga akuzat për përfshirje në këtë plan kriminal dhe rriti dënimet për Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq nga 12 në 15 vjet.
Gjykatësja kryesuese, Graciela Gatti Santana, tha se të dy burrat, tani në të 70-tat, “ndanë synimin për ta çuar përpara qëllimin e përbashkët kriminal për t’i larguar me forcë dhe përgjithmonë shumicën e jo-serbëve nga zona të mëdha të Kroacisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës nëpërmjet kryerjes së krimeve për të cilat akuzohen në aktakuzë”.
Stanishiq, ish-kreu i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, dhe Simatoviq, zyrtar i lartë i inteligjencës në këtë shërbim, janë të vetmit zyrtarë serbë që janë dënuar nga një gjykatë e OKB-së për përfshirje në krime në Bosnje e Hercegovine.
Ky vendim i Apelit i jep fund gjykimit më të gjatë të krimeve të luftës që daton nga luftërat ballkanike të fillimit të viteve 1990.
Munir Tahiroviq, udhëheqës i një shoqate të viktimave të luftës dhe gjenocidit, tha se ai kishte pritur 30 vjet për një vendim që lidh Beogradin me krimet e kryera në vendin e tij. “Ky gjykim vërtetoi gjithashtu se Serbia ka kryer agresion jo vetëm ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës, por edhe ndaj Kroacisë,” tha ai.