Një kështjellë e madhe skoceze ka dalë në shitje për oferta me vlerë mbi 37,000 dollarë
E ndodhur në Fetlar, i katërti më i madhi i ishujve Shetland, ‘Brough Lodge’ është në një nga pjesët më të largëta të Mbretërisë së Bashkuar.
Ajo mund të arrihet me traget nga kontinenti Shetland, i cili në vetvete është një orë e gjysmë fluturim nga Edinburgu ose një fluturim tre orë e gjysmë nga Londra.
Ishulli është shtëpia e rreth 69 njerëzve, sipas faqes së internetit të Shoqatës së Komunitetit Fetlar, duke pësuar një rritje nga popullsia e tij më e ulët prej 48 në fillim të vitit 2009.
E vendosur në shpatin e kodrës, kështjella ka pamje nga livadhet e Fetlarit dhe shkëmbinjtë e thyer që shtrihen deri në det, si dhe nga ishujt përreth.
‘Brough Lodge’ u ndërtua në 1825 nga tregtari vendas Arthur Nicolson në një stil gotik. Ajo kishte qenë që nga vitet 1970 e pabanueshme, megjithëse u bë e papërshkueshme nga era dhe uji rreth 10 vjet më parë pas një fushate për mbledhjen e fondeve.
Përveç shtëpisë, ka një oborr, disa kopshte me mure dhe një kullë në formë ovale, e përdorur dikur si një observator.
Brough Lodge Trust është në kërkim të një “sipërmarrësi filantropik” i cili mund ta transformojë kështjellën në një vendstrehim me 24 dhoma gjumi dhe tashmë ka marrë disa oferta.
Por për atë që do ta blejë ka një kleçkë, pasi pronarët e saj aktual vlerësojnë se duhet një fond shtesë prej 14.8 milion dollarë për restaurimin e saj.