“NATO është e gatshme të dërgojë më shumë trupa në Kosovë për të qetësuar situatën në veriun e banuar me shumicë serbe”.
Kështu u shpreh sekretari i Përgjithshëm i NATO, Jens Stoltenberg teksa shtoi se 700 trupat e parë tashmë janë rrugës për në Kosovë, pas incidenteve të ditëve të fundit.
“NATO-ja do të mbetet vigjilente. Ne do të jemi atje për të siguruar një mjedis të sigurt, si dhe për të qetësuar dhe ulur tensionet”, u tha Stoltenberg gazetarëve në prag të samitit të ministrave të Jashtëm në Oslo.
NATO vendosi ta shtojë me 700 trupa misionin e saj prej 4.000 trupash në Kosovë pasi 30 paqeruajtës u plagosën gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në komunën e Zveçanit më 29 maj.