Dhjetëra qytetarë kanë shpërfillur thirrjet e policisë së Kosovës, duke u mbledhur afër Urës së Ibrit, në Jug të Mitrovicës.
Thirrja për protestë është bërë përmes rrjeteve sociale, ndërsa Policia ka deklaruar se këto thirrje janë bërë nga profile të dyshimta dhe se mund të kenë qëllime në dëm të qytetarëve.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e organizimeve të tilla, por të lënë institucionet që të trajtojnë situatën.
“Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve të shpërfillin thirrjet për pjesëmarrje në protestë.
Policia e Kosovës është në dijeni se, nëpër media të ndryshme sociale, nga persona dhe profile të ndryshme, janë duke qarkulluar postime me thirrje ndaj qytetarëve shqiptarë, për pjesëmarrje në gjoja protestë masovike, sot në ora 12:00, në Jug të Mitrovicës dhe me synim kinse për marshim në Veri të vendit.
Dëshirojmë të sqarojmë se, pas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë është vërtetuar se shumë nga këto profile janë të dyshimta dhe se postimet mund të jenë qëllimkëqija, në dëm të vet qytetarëve dhe interesave të Republikës së Kosovës”, njoftoi Policia.
Po ashtu, edhe Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, u bëri thirrje qytetarëve që të mos u përgjigjen thirrjeve për protestë pasi ato janë të panevojshme dhe nuk e ndihmojnë Kosovën.
“Thirrjet për protestë në jug të Mitrovicës dhe me synim marshimin drejt veriut të vendit, janë të panevojshme dhe nuk i ndihmojnë Republikës së Kosovës.
Përmes këtij organizimi në rrjetet sociale po tentohet të nxiten tubime të panevojshme. Sipas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë, kjo thirrje po përhapet nga persona të panjohur dhe profile të dyshimta nëpër rrjetet sociale.
Mbështetja e madhe qytetare e këtyre ditëve karshi vendimeve të Qeverisë dhe institucioneve tona, të drejta dhe legjitime, janë garancë e vendosjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në veri të vendit.
I ftoj të gjithë qytetarët që të mos i përgjigjen këtyre thirrjeve të dyshimta dhe organizimeve anonime”, tha Ministri në rrjetin social Fcaebook.