Tensionet në veri të Kosovës dhe gjetja e një zgjidhje për ruajtjen e stabilitetit të rajonit ka qenë në fokus të ndërkombëtarëve gjatë takimeve të tyre në Moldavi ku po zhvillohet takimi për Komunitetin Politik Europian.
Kryeministri Edi Rama gjatë takimit që ka zhvilluar me presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe presidenten e KE, Ursula Von der Leyen ka theksuar se ky konflikt duhet të zgjidhjet në bashkëpunim me ndërkombëtarët.
Rama shtoi se Kosova dhe Serbia duhet të finalizojnë marrëveshjen e normalizimit dhe njohjes së ndërsjellë në mënyrë që i gjithë rajoni të shoh para drejt një marrëdhënie të re me BE-në.
“Rajoni duhet të hyjë në një marrëdhënie të re me BE-në, ndërkohë që konflikti në Veriun e Kosovës duhet të zgjidhet krah për krah me botën demokratike, duke u dhënë fund absurdit kërcënues e duke finalizuar marrëveshjen e normalizimit dhe njohjes së ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë”, shkruan Rama.
Në Moldavi po zhvillohet takimi për Komunitetin Politik Europian, ku marrin pjesë liderët e 47 shteteve, në fokus të të cilave do jetë lufta në Ukrainë dhe tensionet në veri të Kosovës.