Qeveria e Britanisë tha se ka shpenzuar pothuajse 40 miliardë paund në subvencione për energjinë që kur filloi të ndihmojë familjet dhe bizneset të përballen me rritjen e faturave të energjisë pas pushtimit rus të Ukrainës.
Midis fillimit të skemave në tetor dhe mars, gati 21 miliardë paund u shpenzuan për programin e Garancisë së Çmimeve të Energjisë që mbështet familjet me faturat e tyre.
12 miliardë paund të tjera u paguan nën Skemën e Mbështetjes së Faturave të Energjisë, e cila u ofronte shtëpive pagesa prej 400 paund për faturat e tyre gjatë muajve të dimrit.
Bizneset dhe organizatat e tjera morën rreth 5.5 miliardë paund sipas skemës së lehtësimit të faturave të energjisë dhe pothuajse 1 miliard paund u shpenzuan për programe të tjera. Kostoja e subvencioneve ka ndihmuar në rritjen e huamarrjes publike të Britanisë që nga fillimi i tyre tetorin e kaluar.
Zyra për Statistikat Kombëtare ka vendosur koston në 41.2 miliardë paund në vitin financiar që përfundon në mars. Subvencionet e programit për garancinë e cmimeve të energjisë për familjet do të përfundojnë në korrik pasi çmimet e rregulluara bien nën nivelin e kufirit. Mbështetja për bizneset është planifikuar të zgjasë deri në mars 2024.
Ministria britanike e energjisë tha se një pjesë e fondeve për subvencionet e energjisë do të vinte nga e ashtuquajtura taksë e papritur mbi prodhuesit e energjisë, e cila pritej të mblidhte pothuajse 26 miliardë paund deri në mars 2028.
Dorina Kurtaj / SCAN