Nga Xhevat Meha
Vlerat politike që dominojn në një vend janë përcaktuese për ndërtimin e shoqërisë, janë përcaktuese për ndërtimin e vlerave të shoqërisë si tërësi. Zhvillimi i shoqërisë dhe i vlerave të saj drejtpërdrejt lidhen me vlerat politike sunduese në atë shoqëri.
Nga përfundimi i luftës së Dytë Botërore e deri tani, në Kosovë vlerat politike dominuese kanë qenë vlerat politike nacional-komuniste dhe vlerat politike nacional-demokratike. Pas luftës së Dytë Botërore, nacional-komunistët morën pushtetin dhe nacional-demokratët vepronin në grupime ilegale politike si NDSH etj. Nacional-komunistët i luftuan brutalisht nacional-komunistët aq sa në vitet ’70 pothuajse nuk kishte grupe politik që dominoheshin nga vlerat politike nacional-demokratike, kishte kryesisht disa individ. Në këtë shkrim, përqendrimet janë tek periudha nga vitet ’70 e deri tani.
Mund të ketë definime të ndryshme se çka janë vlerat politike nacional-komuniste e çka nacional-demokratike. Unë po paraqes të kuptuarit nga ana ime. Pretendimet e këtyre dy grupimeve politike janë të njëjta: ndërtimi i shoqërisë që sjell mirëqenie të duhur për qytetarët përmes marrjes dhe ushtrimit të pushtetit qeverisës. Dallimi është tek mënyra e organizmit dhe veprimit për të realizuar pretendimet. Përshkrimi i dallimeve mund të përmbaj listë të gjatë, unë po përqendrohem tek një paraqitje e thjeshte dhe e shkurtë.
Bindjet dhe besimet politike të nacional-komunistëve janë që interesi i marrjes së pushtetit dhe i ruajtjes së pushtetit është parësor dhe i nënshtrohet çdo interes tjetër. Përdorimi i çfarëdo mënyre, përfshi dhunën, përfshi veprimet jo-institucionale është i pranueshëm, i nënshtrohet interesit parësor. Rrena, mashtrimi, tradhtia, amoraliteti janë të pranueshme, i nënshtrohen interesit parësor. Shkelja e ligjeve dhe rregullave është i pranueshëm, i nënshtrohet interesit parësor. Hajnia, plaçkitja, kriminalitetit janë të pranueshme, i nënshtrohen interesit parësor. Pandershmëria është e pranueshme, i nënshtrohet interesit parësor.
Bindjet dhe besimet politike të nacional-demokratëve janë që interesi i Kosovës është parësor dhe i nënshtrohet çdo interes tjetër. Përdorimi i çfarëdo mënyre, përfshi dhunën, përfshi veprimet jo-institucionale kur dëmton interesin e Kosovës është i papranueshëm, i nënshtrohet interesit parësor. Rrena, mashtrimi, tradhtia, amoraliteti kur dëmtojnë interesin e Kosovës janë të papranueshme, i nënshtrohen interesit parësor. Shkelja e ligjeve dhe rregullave është i papranueshëm, i nënshtrohet interesit parësor. Hajnia, plaçkitja, kriminalitetit nuk janë të papranueshme, luftimi i tyre i nënshtrohen interesit parësor. Pandershmëria është e papranueshme, i nënshtrohet interesit parësor.
Vlerat politike nacional-demokratike pas luftës së dytë botërore që përmbanin grupet e ndryshme politike si NDSH etj. mbijetuan deri në vitet ’70-ta, kur u bënë të papërfillshme për nga pesha. Por pikërisht në vitet ’70-ta filluan të lindin vlera nacional-demokratike krejt tjera. Autonomia vetëqeverisëse e pranuar me Kushtetutën e vitit 1974 mundësoj krijimin e institucioneve të Kosovës që ishin bukur autonome në organizmin dhe ndërtimin e shoqërisë në Kosovë.
Kontrolli i ushtruar nga Serbia ne vitet ’70-ta ishte i kufizuar, mirëpo pas demonstratave të vitit 1981 filluan presionet nga Serbia për rritje kontrolli. Paralelisht me këtë presion rritej edhe mbrojtja institucionale nga pjesa Kosovare. Qytetaret e Kosovës, pjesa universitare dhe akademike, ndërmarrjet shoqërore dhe publike që në atë kohë ishin një lloj institucionesh, dhe numër i konsiderueshëm nga prijësit politik të institucioneve të Kosovës u vunë në mbrojtje të institucioneve të Kosovës. Kur përdorimi i forcës nga Serbia theu mbrojtjen institucionale të Kosovës, qytetarët dolën në rrugë me protesta dhe demonstrata masive.
Bindja dhe besimi politik i gjithë këtyre të angazhuarve në mbrojtje të të drejtave të garantuara me Kushtetutën e vitit 1974 niseshin nga përdorimi i institucioneve për mbrojtjen dhe avancimin e interesave të qytetarëve në ndërtimin shoqëror të Kosovës, dhe poashtu, bazohej në veprimet në përputhje me ligjet e kohës. E gjithë kjo përpjekje ishte demonstrim i vlerave politike nacional-demokratike.
Në të njëjtën kohë, gjatë përpjekjeve për mbrojtjen e institucioneve të Kosovës, nacional-komunistët që vepronin brenda institucioneve vepronin për zbatimin e vendimeve të Serbisë që ishin në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e atëhershme. Për këta individ, interesi i ruajtës së pushtetit ka qenë parësor, këtij interesi i është nënshtruar çdo interes tjetër. Gjatë kësaj periudhe, viteve ’80-ta, vepronin edhe grupe politike ilegale në shkelje të zbatimit të ligjeve, dhe ishin veprime klandestine jo-institucionale. Këto veprime demonstronin vlerat politike nacional-komuniste.
Zhvillimi i vlerave politike nacional-demokratike gjatë viteve ’80 ishte i vrullshëm, u krijua një masë e gjerë bartëse e këtyre vlerave e shtrirë në të gjitha shtresat e shoqërisë kosovare. Kjo shtrirje e gjerë u shfrytëzua mirë nga individ me ngritje intelektuale të kohës të cilët filluan lëvizje politike e cila u konkretizua në themelimin e LDK-së si institucion bartës i realizimit të interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj. LDK ishte kulmi nën të cilin qëndronin të gjithë që ishin ose që pretendonin se ishin me bindjen dhe besimin politik se interesi i Kosovës është parësor, dhe se ky interes qëndron mbi çdo interes tjetër. Sigurisht se kishte pretendues që në fakt dalë-nga-dalë më vonë u dëshmuan ndryshe.
Pavarësisht se sidomos LDK ishte kulmi nën të cilin qëndronin të gjithë, më vonë filluan të shihen dallimet në mes të vlerave nacional-demokratike dhe nacional-komuniste brenda atyre që ishin nën këtë kulm. Në fakt, diku kah 1993 jo vetëm se dolën në shesh dallimet, por në shesh doli edhe lufta politike në mes të nacional-demokratëve dhe nacional-komunistëve. Pavarësisht luftës politike, dhe situatave të ndryshme të krijuara edhe si rezultat i kësaj lufte edhe si rezultat i faktorëve tjerë të jashtëm, Ibrahim Rugova, derisa ishte gjallë, ishte vet nacional-demokrat dhe arriti që rreth vetës, pra në LDK, të tubonte numrin më të madh të nacional-demokratëve.
Lufta politike që doli sheshazi në fillim të viteve ’90, vazhdoj gjatë gjithë viteve ’90, poashtu edhe gjatë luftës dhe pas lufte. Ibrahim Rugova si nacional-demokrat dhe LDK mbanin drejtimin politik të zgjidhjes së çështjes së Kosovës duke shmangur luftën. Nacional-komunistët që vepronin në organizime të ndryshme ndoqën drejtimin e përdorimit të luftës në arritjen e synimeve politike. Pavarësisht synimeve të përbashkëta, lufta politike mes këtyre dy grupimeve politike ishte e ashpër, herë-herë edhe me brutalitet për faktin se nacional-komunistët përdornin çfarëdo mjeti të mundshëm në luftën e tyre. Luftë politike me brutalitet ishte gjatë gjithë luftës, po edhe pas lufte.
Pas lufte, përderisa LDK ruajti subjektivitetin politik, Ibrahim Rugova si nacional-demokrat arriti që derisa ishte gjallë të mbaj afër vetës numrin më të madh të nacional-demokratëve. Nacional-komunistët krijuan subjekt të ri politik që njihet si PDK. Asnjëherë LDK nuk ka patur dhe nuk ka brenda vetes vetëm nacional-demokrat, dhe asnjëherë grupimet politik si LPK, PDK, dhe grupimet tjera të ngjashme, nuk kanë patur dhe nuk kanë brenda vetes vetëm nacional-komunist. Çdoherë, brenda LDK-së edhe sa ishte gjallë Ibrahim Rugova kishte pjesëtar me bindje dhe besime politike nacional-komuniste. Çdoherë, brenda subjekteve si LPK, PDK, etj. ka patur dhe ka tani në PDK pjesëtar me bindje dhe besime politike nacional-demokratike.
Po nga e si janë krijuar vlerat politike nacional-demokratike dhe vlerat politike nacional-komuniste?
Vlerat politike nacional-demokratike janë burimore, janë vullnet politik i qytetarëve të Kosovës, janë vlera politike vendore. Vlerat politike nacional-komuniste në Kosovë burimin e kanë në modelin sovjetik me qendër në Moskë të zhvilluara nga degët në Tiranë dhe në Beograd.
Lufta politike në mes të vlerave politike nacional-demokratike dhe nacional-komuniste pas luftës së fundit është zhvilluar në pjesën më të madhe brenda vet grupimeve politike dhe në pjesën me të vogël mes një grupimi politik dhe një tjetri. Kjo luftë politike mbi 20 vjeçare nga brenda vet grupimeve politike ka kulmuar në atë që secili grupim i tanishëm politik, bash secili grupim politik që vepron në Kosovë tani, janë të drejtuara nga vlerat politike nacional-komuniste. Nëse nuk është kështu, dikush le të më thotë se cili grupim politik nuk drejtohet nga vlerat politike nacional-komuniste. Kush pak më kështu e kush pak më ashtu, grupimet politike që tani veprojnë në Kosovë në nivelet si: Kryetar Partie, Kryesi, Këshill i Përgjithshëm, dhe Kuvend , dominohet nga individët me vlera të fuqishme nacional-komuniste. Në secilën nga këto nivele ka individ bartës të vlerave nacional-demokratike por që janë të mbizotëruar dhe të shkelur nga individ bartës të vlerave nacional-komuniste.
Po si u arrit pas lufte që vlerat nacional-komuniste të janë sunduese në secilin grupim politik?
Elementi kyç se si u arrit kjo është deklarata për media e shefit të BIA-së në Serbi e dhënë në janar 2003 i cili thotë se kemi arritur që vitin e kaluar të instalojmë agjenturën tonë në kreun e lëvizjes separatiste.
Rrjeti i agjenturës serbe i instaluar nëpër të gjitha grupimet politike, qetas dhe pa u penguar nga dikush, dal-nga-dal e hap-pas-hapi, në çdo lëvizje brenda partiake ka situr poshtë individët bartës të vlerave nacional-demokratike dhe ka ngjitur më lart individët bartës të vlerave nacional-komuniste. Për të siguruar suksesin e plotë, ka përdorur dy metoda kryesore:
1) Krijimin e fronteve artificiale “ne vs ata” – Fillimisht pas lufte u krijua artificialisht fronti “blloku i paqes vs blloku i luftës”. Kur ky front u hargjua përmes krijimit të koalicioneve pas-zgjedhore, u krijua fronti “organizata anarkiste terroriste (që ishte VV) vs institucionet e shtetit. Këto fronte kanë shërbyer si lyerje e trunit me tlyn anëtarëve për mobilizim të brendshëm për të kryer luftën e brendshme pa u hetuar mes vlerave politike nacional-komuniste dhe vlerave politike nacional-demokratike.
2) Fuqizimi i mendimit politik kope – Brenda të gjitha grupimeve politike u fuqizua mendimi politike kope deri në nivelet sa ende kundër çfarëdo lloj mendimi ndryshe qëndron shpata “dhia që ndahet kopeja e ha ujku”. Edhe kjo është lyerje e trunit me tlyn anëtarëve për t’u siguruar që nuk ka individ nga brenda grupimit politik që rrezikon krerët e grupimeve politike ku ishte e instaluar agjentura e msheft serbe.
Secili sistem i vlerave ka hierarkinë e vlerave. Edhe sistemi i vlerave nacional-komuniste edhe sistemi i vlerave nacional-demokratike kanë hierarkinë vet të vlerave. Sa më shumë që individi demonstron bindjet dhe besimet politike se interesi i marrjes së pushtetit dhe i ruajtjes së pushtetit është parësor dhe i nënshtrohet çdo interes tjetër qëndron më lartë në hierarkinë e vlerave politike nacional-komuniste. Sa më shumë që individi demonstron bindjet dhe besimet politike që interesi i Kosovës është parësor dhe i nënshtrohet çdo interes tjetër qëndron më lartë në hierarkinë e vlerave politike nacional-demokratike.
Është numër i vogël i individëve që qëndrojnë lart në sistemin e vlerave nacional-komuniste e që demonstron vetëm vlera nacional-komuniste, mund të mos ketë fare individ. Njëjtë vlen edhe për individët bartës të vlerave nacional-demokratike. Shumica e individëve demonstrojnë në të njëjtën kohë edhe vlerat politike nacional-komuniste edhe vlerat politike nacional-demokratike. Andej kah anon peshorja, përcaktohet se a është individi bartës i vlerave politike nacional-demokratike a bartës i vlerave politike nacional-komuniste. Sa më shumë që individi demonstron vlera politike nacional-demokratike a vlera politike nacional-komuniste qëndron më lart në hierarkinë e vlerave.
Po e ardhmja politike e Kosovës?
Të ardhmen politike të Kosovës e shoh se duhet të ndërtohet nga një e majtë politike e ekonomisë së tregut dhe një e djathtë politike e ekonomisë së tregut. Asnjë grupim politik që tani vepron në Kosovë nuk është e majtë e ekonomisë së tregut ose e djathtë e ekonomisë së tregut. Edhe e majta politike e ekonomisë së tregut, edhe e djathta politike e ekonomisë së tregut duhet të kanë platformë politike të përbashkët vlerat nacional-demokratike. Vlerat politike nacional-demokratike janë prodhim politik vendor, vlerat politike nacional-komuniste janë prodhim politik i importuar nga jashtë.