Princi i Uellsit ka vlerësuar sot punën e trupave ushtarake gjatë provave finale të ceremonisë ‘Trooping the Colour’, ‘megjithë kushtet e vështira’ ku të paktën dy ushtarë humbën ndjenjat në dukje nga i nxehti.
Gjatë praktikës humbi ndjenjat një anëtar i bandës muzikore me instrumentin ende në dorë, siç tregohet në fotot e eventit, ndërsa një tjetër u fotografua duke u marrë me barrelë.
Ceremonia e rojeve të kalëruara në Londër, gjatë së cilës Princ William i inspekton ato në kalë, është prova finale e paradës së të shtunës që vjen, për të shënuar ditëlindjen e mbretit të ri Charles III.
40 vjeçari William, i cili është tashmë koloneli rojeve të Uellsit, dukej elegant në uniformën e tij ushtarake, që kombinonte me kapelën me lëkurë ariu, teksa shfaqte dhe medaljet në gjoksin e tij.
Pas shërbesës princi shkruante në rrjetet sociale: “Falenderoj shumë ushtarët për provën e sotme në motin e nxehtë. Kushte të vështira por bëtë një punë të mirë, faleminderit”.
Ai nuk përmendte ushtarët që humbën ndjenjat apo arsyet e gjendjes së keqe shëndetësore të tyre.
Eventi i këtij viti është i rëndësishëm prej ardhjes së freskët të mbretit të ri në pushtet.
Daily Mail shkruan se Princi Harry e Meghan Markle nuk janë ftuar në ceremoni.
Një zëdhënës i pallatit mbretëror Buckingham Palace tha se Harry e Meghan nuk janë ftuar në prova por janë ftuar në paradën e ditëlindjes së mbretit javës që vjen.
Ditëlindja e mbretit shënohet çdo vit me paradë ushtarake që në Britani njihet me titullin ‘Trooping the Colour’.
Origjina e ceremonisë daton prej shekullit të 18-të kur rojat e pallateve mbretërore britanike dilnin duke kalëruar në paradë para ndërtesave shtetërore.
Pas paradës familja mbretërore kthehet në pallat dhe përshëndet popullin nga ballkoni. Biletat për publikun pjesëmarrës raportohet se hidhen me short.