Draftin për Asociacionin e komunave serbe në Kosovës, që kryeministri shqiptar Edi Rama ka dërguar në kancelaritë në Berlin dhe Paris së fundmi, analisti dhe historiani Enver Bytyçi e sheh si një tentativë të shefit të qeverisë për t’a shitur veten si lider të fuqishëm rajonal.
Bytyçi tha në studion e Debatit në A2 CNN se Rama ka treguar përherë me drejtuesit e shtetit të Kosovës një frymë përçarëse dhe konfrontimi, pasi në gjykimin e analistit kryeministri i Shqipërisë e sheh veten si “Zeusi”, duke i dashur të gjithë nën diktatin e tij.
“Në gjykimin tim karakteri dhe temperamenti, etika e zotit Rama është e tillë që vendos vetë për gjithçka dhe nuk konsultohet me askënd dhe për asgjë, aq më pak për Kosovën dhe me Kosovën. Ai ka marrë përsipër të luajë rolin e lidershipit shqiptar në tërësi. T’u kërkojë të gjithë shqiptarëve kudo janë, përfshirë edhe kryeministrin e Kosovës dhe Presidenten e Kosovës, tu kërkojë që të rrinë nën diktatin e pikëpamjeve të tij. Ta shohë veten si një Zeus që qëndron mbi të gjithë të tjerët dhe që vendos për interesat e kombit në tërësi, dhe Kosovës e madje dhe për njerëzit marrin apo nuk marrin frymë. Nuk e shoh të pazakontë qëndrimin e tillë të zotit Rama. Ka pasur sjellje të tilla arrogante dhe përçarëse edhe me kryeministrin Ramush Haradinaj, Isa Mustafa dhe me Abdullah Hotin që ka qenë kryeministri më i urtë i Kosovës. Ka pasur konflikte, konfrontime, grindje. Në rastin konkret mendoj se zoti Rama ka synuar të marrë rol protagonisti më të madh se në rastet e tjera. Të promovohet si lider rajonal, që lufton për paqe dhe fuqitë e mëdha amerikane në rajon”, u shpreh historiani i njohur.