Tensionet në veri/ BE: Nuk kemi parë hapa vendimtarë nga Kurti, po shqyrtohen masa kundër Kosovës

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ka pranuar një letër nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që përmban planin e tij pesëpikësh për uljen e tensioneve në veri, por blloku evropian aktualisht tha se konsideron që kryeministri kosovar “nuk ka ndërmarrë hapa të duhur”.

Zëdhënësi i BE-s, Peter Stano, tha se në Bruksel se po vazhdojnë të shqyrtohen masat e mundshme ndaj Kosovës, nëse ndërkohë nuk merren hapat e duhur.

Deri më tani nuk kemi parë asnjë hap të menjëhershëm dhe vendimtarë nga kryeministri Kurti. Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës vetëm dëshmojnë se përshkallëzimi po vazhdon dhe kjo shkon kundër interesave të Kosovës dhe të gjithë njerëzve në Kosovë”, tha Stano.

Më 13 qershor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se i ka dërguar Borrellit një plan prej pesë pikash, që sipas tij, do të ndihmonte në uljen e tensioneve në veri. Këtë plan, ai e ka diskutuar edhe me përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it. Stano tha se me shtetet anëtare të bllokut janë ndarë disa nga masat të cilat do të ndërmerren ndaj Kosovës, nëse sipas tij, Kurti nuk ndërmerr hapat e duhur dhe menjëherë të ulë tensionet në veri.

Diskutimet mes vendeve anëtare janë duke vazhduar dhe përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, është në kontakt të përhershëm me liderët e rajonit dhe ata të vendeve anëtare të BE-së”, tha Stano.

Tensionet në veriun e Kosovës nisën më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të vendosen në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Këta kryetarë u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e hapur për mbajtjen e zgjedhjeve në veri. Megjithatë, për t’u shpallur zgjedhjet e reja, ajo ka thënë se 20 për qind e personave në listën votuese në veri të Kosovës, duhet të nënshkruajnë një peticion me kërkesën që të mbahen votimet./ REL

Share This Article