Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano ka deklaruar se Brukseli po monitoron me kujdes situatën rreth arrestimit të tre anëtarëve të Policisë së Kosovës, se është në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in. Stano bëri me dije se është përcaktuar se çfarë dhe si ka ndodhur, ndërsa i ka bërë thirrje palëve që të përmbahen nga çdo veprim që do çonte në rritje të tensioneve.
“Ndërkohë, ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim që do të çonte në rritje të tensioneve. Në të njëjtën kohë, ne u bëjmë thirrje të dyja palëve të punojnë për de-përshkallëzimin e situatës“, tha Stano.
Ky i fundit u shpreh se masat e BE-së ndaj Kosovës nuk janë sanksione, por instrumente që Brukseli të tregojë se pret qetësim të situatës dhe reagim nëse nuk do ndodhë kjo gjë.