Departamenti amerikan i Shtetit publikoi Raportin për Terrorizmin ku përmblidhen arritjet dhe sfidat e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve aleate për të luftuar dhe mposhtur organizatat terroriste gjatë vitit 2018.
200 kosovarë vazhdojnë të mbesin në zonën e konfliktit në Siri, thotë raporti i fundit i Departamentit të Shtetit Amerikan.
Këtë raport e ka mirëpritur presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, dhe ka thënë se radikalizmin, Kosova do ta luftojë pakompromis.
“Më gëzon fakti që Kosova sërish lavdërohet në raportin e Departamentit të Shtetit për terrorizmin në vitin 2018, si shtet që ka bashkëpunuar me SHBA-në në luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit, si dhe vlerësohet si anëtare e Koalicionit Global kundër ISIS-it. Kapitulli për Kosovën numëron të arriturat e të gjitha agjencive, gjyqësorit, Policisë së Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë, por edhe të KFOR-it dhe EULEX-it, duke vlerësuar bashkëpunimin e tyre në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë. Kosova do ta luftojë pakompromis radikalizmin, ekstremizmin dhe terrorizmin e çdo forme. Jemi partner i barabartë i aleatëve tanë dhe kontribuues për paqen dhe sigurinë në rajon e më gjerë”, shkruan Thaçi.
Kujtojmë dhe njëherë se në raport thuhet se 130 kosovarë janë kthyer në Kosovë, derisa 70 janë të vdekur.
Ky raport vlerëson pjesëmarrjen e Kosovës si anëtare e Koalicionit Global për të mposhtur ISIS-in. Raporti, megjithatë, thotë se situata e sigurisë dhe situata politike në veri kanë kufizuar qeverinë për të ushtruar autoritetin e saj në pjesën veriore. Megjithatë, në Kosovë, në vitin 2018, nuk ka pasur ndonjë sulm terrorist. DASH-i amerikan thotë institucionet në Kosovë duhet të bashkëpunojnë më shumë mes vete.