Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza të forta në drejtim të kreut të qeverisë, Edi Rama dhe ish-kryedemokratit, Lulzim Basha. Në studion e emisionit “Publikisht” të Blerta Tafanit në RTSH, Berisha tha se Basha është “peng” i Ramës duke pretenduar se ky i fundit e ka shpëtuar atë nga një dënim prej të paktën 6 vitesh.
Sipas Berishës, Basha po hetohej nga Prokuroria e Tiranës për pastrim parash, por shton se për shkak të ndërhyrjes nga Rama, dosja nuk u dorëzua kurrë në Gjykatë.
“Lulzim Basha është peng i Edi Ramës sepse me dosjen e 720 mijë dollarëve, Lulzim Basha u hetua nga Prokuroria e Tiranës për larje parash dhe u përfundua hetimi dhe do dërgohej në Gjykatën e Lartë për të marrë dënimin. Edi Rama, nëpërmjet një prokurori, në kundërshtim me ligjin, e mbajti dosjen 28 ditë sa është afati dhe ditën e 29 ai dha dorëheqjen dhe dosja mbeti në sirtarin e tij. Skadoi afati që dosja të shkonte në Gjykatën e Lartë. Prokurori tjetër nuk e firmosi. Dosja është e hapur, Rama e ka në dorë kur të dojë. Lulzim Basha e di sepse mbrapa saj ka në kurriz të paktën 6 vite burg. Ndaj Edi Rama e ka në dorë atë”, tha Berisha.
Ndalur te financimi rus në PD, Berisha tha se Basha i kishte mohuar këto pretendime dhe se i kishte deklaruar se ato ishin para të marra nga një biznesmen shqiptaro-amerikan.
“Kur e sulmuan që janë para ruse më tha asnjë qindarkë nuk është ruse. Më tha janë fonde të mbledhura nga një biznesmen shqiptaro-amerikan që do ja kthej këtu. E pyeta, a ke zbatuar ligjin shqiptar dhe amerikan në transaksionet financiare? Më tha po. Më mbrapa doli që nuk janë ashtu. Shërbimet amerikane publikuan një raport ku shkruan se PD në 2017 është financuar nga para ruse. Raporti i CIA-s u përgënjeshtrua nga Basha. Por nuk e bëri kurrë të qartë se ku i ka marrë paratë. Nëse nuk e pranon, duhet të kesh burrëri të shkosh në burg, kjo duhet zgjidhur, por nuk mund të rrish në kapistrën e Edi Ramës”, u shpreh Berisha në “Publikisht”.